Sport- Teknologjia "Pushton" Botërorin "Afrika E Jugut 2010"
TIRANË, 6 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Microchip, blue-tooth, navigatorë 'gps', mikrokamera dhe USB dhe nuk bëhet fjalë për katalogun me mallrat e një kompanie që shet pajisje elektronike. Përkundrazi, këto janë disa nga aksesorët teknologjikë, me të cilët janë paraqitur në Botërorin 2010 disa prej përfaqësueseve pjesëmarrëse në kampionatin që do të zhvillohet në Afrikën e Jugut.
Një koleksion i vërtetë shpikjesh, disa prej të cilave i kalojnë kufijtë e imagjinatës, që duken si një zgjidhje e mesme ndërmjet teknologjisë moderne dhe filmave fantastiko-shkencorë.
Objektin, i cili ka bërë vërtet bujë, e që sipas të gjitha gjasave pritet të shndërrohet në shpikjen më të rëndësishme për këtë botëror, e kanë paraqitur australianët. Ata kanë përballur me origjinalitet problemin që përsëritet çdo katër vjet, përpara Kupës së Botës: ankesat, tashmë të zakonshme për topin zyrtar të aktivitetit.
Portierët e të gjitha përfaqësueseve pjesëmarrëse në turne, prej ditës së parë janë ankuar rreth trajektoreve të paparashikueshme që mund të marrë sfera me emrin "Jabulani".
Ndërkohë "socceroos", njerëz të cilët kanë prirje më tepër që të gjejnë zgjidhje sesa të ankohen pafundësisht, vranë mendjen, u futën në laboratorë dhe falë aparaturave me teknologji të avancuar prodhuan tri palë supersyze.
Super, është vetëm një mënyrë për ta përcaktuar: në të vërtetë bëhet fjalë për modele syzesh, në të cilat janë instaluar mikrokamera dhe një dalje USB-je. "Gardianët" e skuadrës së drejtuar nga trajneri holandez, Pim Verbek, i vendosën dhe u paraqitën në stërvitje. Përgjatë gjithë seancës së mëngjesit të gjithë lojtarët e tjerë janë zbavitur duke gjuajtur pambarimisht topa drejt portës: goditje të sakta, të forta, me efekte rrotulluese, parabola e kështu me radhë
Në fund të seancës, stafi teknik i Australisë i ka kaluar të gjitha imazhet në kompjuter dhe më pas i ka studiuar në një projektor gjigand, për të kuptuar sa më mirë lëvizjet e topit në varësi të goditjeve. Rezultatet ishin të menjëhershme, pasi në stërvitjen e pasdites, trajnerët u shprehën mjaft të kënaqur për përmirësimet e portierëve.
E njëjta gjë nuk mund të thuhet për stafin e Anglisë rreth eksperimentit që fillimisht u krye nga Arsenali. Gjatë këtij viti "topçinjtë" kanë përdorur një gps (sistem satelitor i përdorur për navigatorët e mjeteve lëvizëse në tokë, ujë dhe ajër), për të përcaktuar lëvizjet e futbollistëve gjatë stërvitjes. Për çfarë shërbente? Për të evituar dëmtimet: "sistemi siguron informacione, të cilat janë në gjendje të na tregojnë se sa vrapon një lojtar gjatë stërvitjes, me çfarë shpejtësie apo me çfarë intensiteti", shpjegoi Ivan Gazidis, shefi ekzekutiv i Arsenalit, duke sqaruar se ai na lejon të përcaktojmë edhe për sa kohë këmba e sportistit ka kontakt me tokën gjatë vrapimit.
Shpjegimi nuk u cilësua bindës nga Fabio Kapelo, i cili vendosi ta linte makinerinë komplekse dhe shumë të kushtueshme në Londër. Ky sistem është përdorur edhe nga disa skuadra të tjera pjesëmarrëse në botëror, që nuk njihen për taktikë të lartë. Falë lokalizuesit satelitor janë vëzhguar lëvizjet e lojtarëve gjatë ndeshjeve dhe më pas të gjitha të dhënat janë analizuar në mbledhjet taktike.
Jo për të evituar dëmtimet, por për të rehabilituar në kohë rekord sulmuesin Humberto Suazo, përfaqësuesja e Kilit ka përdorur dhomën hiperbarike (dhomën me presion më të lartë se ai atmosferik). Por, ndodhi diçka e pakëndshme. Duke mos pasur besim të plotë te kjo zgjidhje, mjekët e skuadrës vendosën të përdornin dhe injektime dhe substanca, që me sa duket ishin të ndaluara. Tashmë Suazo rrezikon një pezullim nga "WADA" për përdorim dopingu./s.s./