English

Të gjithë kundër RTK-së!

Pas ca çasteve të bukura të kaluara në një fitnes klub, mendohem nëse do ishte mirë ose jo t’i shikoj lajmet qendrore në Televizionin e Kosovës. Për fat të keq, vendosa të ulem pranë ekranit dhe të “informohem” se çfarë kishte ngjarë ditën në fjalë në Kosovë dhe në botë....

Nga Ilir Sefaj*

Radiotelevizioni i Kosovës, nuk është publik. Radiotelevizioni i Kosovës, nuk është shtetëror. Radiotelevizioni i Kosovës, nuk është televizion i qytetarit të Kosovës. RTK është televizion i PDK-së. Fatkeqësisht ky medium përfaqëson interesa tepër të ngushta, duke anashkaluar lajmin e vërtetë, duke krijuar dilema, por jo rrallë edhe duke qenë promotor i nxitjes së urrejtjes të cilës do natyrë qoftë.

A është ky misioni i transmetuesve publik në shoqëritë demokratike? Domosdoshmërish, jo. Atëherë, mund të quhet RTK transmetues publik? Domosdoshmërish, jo.

Pas ca çasteve të bukura të kaluara në një fitnes klub, mendohem nëse do ishte mirë ose jo t’i shikoj lajmet qendrore në Televizionin e Kosovës. Për fat të keq, vendosa të ulem pranë ekranit dhe të “informohem” se çfarë kishte ngjarë ditën në fjalë në Kosovë dhe në botë.

Rëndom lajmet qendrore në RTK zgjasin tridhjetë minuta, mbase tridhjetepesë duke përfshirë edhe lajmet nga sporti, dhe kjo nuk ka asgjë të keqe. Mirëpo, e keqja konsiston në faktin se rreth njëzet minutat e parë i kushtohen të “arriturave” të Qeverisë së Kosovës. Vizitave të kryeministrit, e të anëtareve të tjerë të kabinetit Thaçi, të cilët po “punojnë” me zell në mënyrë që të kemi progres në Kosovë. Ky imazh i cili më shfaqet në ekranin e këtij televizioni më kujton sistemin komunist, faktikisht transmetuesit e këtyre sistemeve ogurzeze të cilat transmetonin pamje ku gjithçka ishte e “trëndafiltë”. Gjithçka që u ofron ky televizion shikuesve të vet është protokollare. Është sipërfaqësore. Pra, lajmet qendrore dhe jo vetëm ato, të transmetuesit “publik” siç po e quan veten ky medium, flasin për sukseset e Qeverisë. Dhe cilat janë këto suksese?! Mbase ky televizion e konsideron sukses faktin, se ministri i Ekonomisë e ka shitur pasurinë e Kosovës për ca mijëra euro. Mbase ky televizion e konsideron sukses faktin, se ministria e Shëndetësisë ka certifikuar dhe u ka dhënë leje pune mjekëve të cilët mendohet të jenë marrë me shitblerjen e organeve të njerëzve. Mbase ky televizion e konsideron sukses, përpjekjen e ministrisë së Transportit për ta asfaltuar (rrafshuar) Kosovën. Mbase ky televizion e konsideron sukses stimulimin e korrupsionit, krimit të organizuar e dukurive të tjera të shëmtuara në Kosovë. Nuk është për tu çuditur kjo, meqë ky televizion ka të punësuar edhe kasnec të sojit, Milaim Zeka, i cili me sjellje të ndyra tenton të shtjerë panik te gazetarët dhe ta censuron shprehjen e lirë.

Marrja e Zotit! Pas skandalit “Zeka”, ky televizion është dashur të ndërpresë çdo kontratë me gazetarin (nëse mund ta quajmë të tillë) Milaim Zeka. Po, ec e guxo! Po nëse ky televizion nuk ka guxim të marrë një vendim për largimin e këtij të vetëquajturi gazetar, mund të merret me mend se sa ka guxim të vë në pah të palarat e panumërta të Qeverisë së Kosovës, dhe investigojë në raste të ndryshme. Tani dua të flas për një detaj të cilin e kam vërejtur në kohën kur shikoj lajmet në RTK. Më është dukur interesant intonacioni i “spikeres” së lajmeve qendrore e cila kryen më përpikëri punën e komandantëve të cilët janë të vetëdijshëm se çdo detaj ka domethënie për shikuesin eventual. Spikerja në fjalë, gjatë kohës sa flet për vizitën e kryeministrit në një shtet evropian, ngrit intonacionin aq shumë dhe flet me aq eufori thuajse; Rrahman Paçarrizi paska shkuar në orbitë. Ndërsa kur flet për përpjekjen e EULEX-it në luftë kundër korrupsionit, flet aq prajshëm sa të vije ta ç’kyçësh televizionin, ngase ajo fytyrë melankolike e spikeres të bën të derdhesh lot hidhërimi. Për të mos e zgjatur edhe më, mund të thuhet edhe ndryshe; rreth televizionit as publik e as shtetëror të Kosovës është mbledhur hirra. Milaimi e Rrahmani e dinë se çfarë është. Ndërsa gazetarët “amazing” nuk e din “njeri”, meqë gjatë kohës sa realizojnë emisionit e tyre hyjnë në tripa të tre tymshit.

Krejt në fund dua t’ua rikujtojë faktin se dikur në krahinën autonome të Kosovës kishim një televizion, RTP, ama ai ishte televizion. Nuk ishte “amazing televizion” si RTK sot, por ishte televizion me taban kombëtar ani-pse nën “pushtimin Jugosllav”.

Intenca e Qeverisë së Kosovës për futjen nën ombrellën e saj, mediumet elektronike dhe ato të shkruara, nuk guxon ta kënaq askënd, përkundrazi kjo tentativë jep imazh tepër negativ për një vend i cili supozohet që ka synim bashkimin europian.

(*) Dërguar nga autori, publicist në Prishtinë, pikëpamjet janë personale

KOMENTE