Tiranë, 7 Të Arrestuar Gjatë 24 Orëve Të Fundit Për Vepra Të Ndryshme Penale
TIRANË, 6 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - Dy persona, njëri prej të cilëve ushtarak, janë arrestuar mbrëmjen e kaluar nga policia e kryeqytetit, pasi gjatë kontrollit të ushtruar ne mjetin me të cilin udhëtonin iu gjet një sasi e konsiderueshme lendë narkotike.
Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit bënë të ditur Artur Lita, 23 vjeç, banues në Kamëz dhe Ndue Lokthi, 43 vjeç, banues në Tirane, me profesion ushtarak, u ndaluan mbrëmjen e djeshme tek kthesa e Valiasit, pasi gjatë kontrollit në mjetin tip furgon iu gjet e bllokua në cilësinë e provës materiale 1158 gram lëndë narkotike e dyshuar heroinë, e cila ndodhej në çantën e shtetasit Artur Lita, ndërkohë që Ndue Lokthi ishte drejtues mjeti.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan krahas sasisë së lëndës narkotike edhe një shumë prej 119 000 lekë, mjeti tip fugon, dy telefona celularë si dhe një pistoletë model 54, me 7 fishekë.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit nga policia e kryeqytetit janë arrestuar 5 persona, të akuzuar për veprën penale të vjedhjes. Nga një operacion i organizuar nga Komisariati nr.1 në Tiranë u bë i mundur arrestimi i shtetasve B.M, 16 vjeç, Xh.K,15 vjeç dhe E.F, 13 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Këta të rinj akuzohen për vjedhjen e dy kompjuterave lap-top, në godinat e Qytetit 'Studenti', si dhe vjedhjen e po një tjetër kompjuteri rreth një muaj më parë po në Qytetin 'Studenti'.
Ndërkohë, mbrëmë është arrestuar edhe shtetasit në kërkim Gerald Zeneli, 19-vjeç, banues në Tiranë i shpallur në kërkim me datë 11 janar 2010, pasi Gjykata e Rrethit Durrës e ka dënuar me 2 muaj burg për veprën penale të vjedhjes. Sot është bërë ekzekutimi i urdhrit të prokurorit për ndalimin e këtij shtetasi pasi nga akti i ekspertimit ka rezultuar se ky shtetas dyshohet te jetë autor i vjedhjes së lokalit bar - kafe "Postrubi", në rrugën "Irfan Tomini".
19 vjeçari Zeneli akuzohet edhe për disa vjedhje të tjera të dyqaneve dhe minimarketeve në Tiranë. Po mbrëmë, është prangosur Kastriot Likja, 20-vjeç, banues në Rrogozhinë, i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes. Ndaj tij Prokuroria e Rrethit Kavajë më datë 8 dhjetor 2009 ka urdhëruar ndalimin sepse është i dyshuar për veprën penale të vjedhjes./s.s./