Vezhgim/ Fier: Kalohet Në Heshtje Dita Botërore E Mjedisit
IER, 6 Qeshor /ATSH, Rr.Isufaj / - Përveç një banderole në qëndër të Fierit, ku shkruhej "5 Qeshori, Dita Botërore e Mjedisit", në këtë qytet dje nuk u organizua asnjë aktivitet, pasi u la në harresë të plotë nga pushteti vendor dhe rrjeti i shoqërisë civile, ndonëse mjedisi është kryefjala e ditës për qytetarët.
Drejtoritë e mjedisit në Këshillin e Qarkut, Bashki dhe ajo rajonale si dhe OJF-të, që janë financuar për projektet në fushat e mjedisit, "harruan" dje ditën botërore të mjedisit bashkë me plazhet, që janë pjesë e tij.
Inxhinieri Ferrik I. thotë për ATSH-në, se, kjo heshtje dhe indiferencë nga insitucionet vendore dhe OJF-të që financohen për mjedisin nga taksapuesit, konsiderohet përveçse mungesë qytetarie, edhe ligjërisht e dënueshme.
"Nëse ka qytet që duhet ta mbajë 365 ditë ndezur dritën e gjelbërt të alarmit për mjedisin, është Fieri, zonë e ndotur dhe me probleme më të mprehta mjedisore", thotë biologu A.Prifti.
Sipas tij, ndotjet nga nafta, Gjanica, bregdeti i Semanit, shfrytëzimi barbar i inerteve në lumin Vjosë, prerja dhe shkatërrimi i zonës së gjelbëruar, betonizimi pa plan e pa kriter i qytetit, trashëgimënia e industrisë kimike, bizneset blegtorale dhe kimike, janë vetëm disa nga problemet më të mprehta me të cilat përballet sistemi mjedisor i kësaj zone.
Prifti thotë se "zhvillimi i vrullshëm industrial, krahas progresit ka sjellë dhe impakte negative në drejtim të mjedisit rrethues ku zhvillohet aktiviteti i botes se gjalle, pasi ndotjet me produkte e mbeturina te shumellojshme, ku vendin kryesor e zënë mbetjet kimike, inertet dhe plehrat dëmtojnë e shkatërrojnë pa dallim bimët, kafshët dhe njeriun".
Por në qytet edhe pse njihen këto probleme, përveçse disa seminareve dhe takimeve, sensibilizimi ende "fle' në qytetin e Fierit. /n.m/