Vlore: Mijera Pushues Sfidojne Motin, Nisin Plazhin
VLORË, 6 Qershor/ATSH-H.Koçi/.-Mijëra qytetarë nga Vlora dhe rrethe të tjera "pushtuan" sot plazhet përgjatë bregdetit vlonjat, duke nisur sezonin veror me gjithë motin ende të pastabilizuar dhe vlerat e temperaturave të papërshtatshme.
Pushuesit kaluan orë të këndshme, duke e shndërruar të dielën e parë të qershorit në ditën e parë të nisjes së sezonit turistik veror 2010 në plazhin e Ri, plazhin e Vjetër dhe mjediset e tjera përgjatë bregdetit deri në Orikum.
Infrastruktura e përshtatshme rrugore bregdetare si dhe pastrimi dhe sistemimi i plazheve, i kishin paraprirë fluksit të pritshëm të pushuesve.
Kryetari i Bashkisë së Orikumit, Kanan Braho, tha për ATSH-në se, janë marrë të gjitha masat për t'i paraprirë sezonit dhe numrit në rritje të qytetarëve nga rrethe të ndryshme, që frekuentojnë bregdetin e Orikumit./n.m/