English

Arrestohen Autorët E Vrasjes Së Dyfishtë Të Ndodhur Në Mamurras Një Ditë Më Parë

TIRANË, 7 Qershor, /ATSH, Edmond Prifti/- Rreth orës 17.30 të ditës së hënë, u bë i mundur arrestimi i autorëve të vrasjes së dyfishtë ndodhur një ditë më parë në qytetin e Mamurrasit, ku persona të paidentifikuar vranë me armë zjarri 23-vjeçarin, Arsid Rama dhe 25-vjeçarin Albert Seiti. Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Qarkut Lezhë, bëhet e ditur se "specialistët e Drejtorisë së Policisë së Shtetit si dhe forcat e repartit F.N.SH. të Shkodrës, arritën të identifikonin me shpejtësi autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë, të ndodhur një ditë më parë në hyrje të qytetit të Mamurrasit pas veprimeve hetimore e proceduriale, si dhe informacioneve të marra nga burime të ndryshme". Deri në mesditën e ditës së hënë, operacioni i koduar "Këmbngulja" bëri të mundur kontrollin dhe krehjen e gjithë zonave të dyshuara dhe rreth orës 17.30 min, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i automjetit me të cilin janë larguar autorët pas ngjarjes së rëndë; automjet, i cili u gjet i braktisur në fshatin Borizanë të rrethit të Krujës. Në operacionin e mirëorganizuar u përfshinë rreth 120 forca policore. Bëhet e ditur gjithashtu se "materialet në ngarkim të shtetasit 23-vjeçar, Diamantin Preçi, 17-vjeçarit Bledar P., 23-vjeçarit Rudolf Ndoci dhe shtetases 20-vjeçare Emi Allamani, iu kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprat penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, e kryer në bashkëpunim si dhe armëmbajtje pa leje, parashikuar nga nenet 79/dh, 25 dhe 278/2 të Kodit Penal".
KOMENTE