English

Arrestohen dy të dyshuarit e vrasjes së dyfishtë në Mamurras

Mamurras, 7 Qershor 2010 NOA – Dy të rinjtë e dyshuar për vrasjen e dyfishtë një natë më parë në Mamurras, ranë në pranga pak minuta më parë, bën të ditur korrespondenti i agjencisë NOA.

Policia e Shtetit i konfirmoi zyrtarisht agjencisë NOA se janë arrestuar pa rezistencë, Diamantin dhe Bledi Preçi, përkatësisht 23 dhe 26 vjeç.

Dy të rinjtë konsiderohen përgjegjës për vrasjen mbrëmë të Albert Seiti 27 vjeç dhe Ersid Rama, 23 vjeç.

Ngjarja ndodhi kur dy djemtë po udhëtonin me një makinë me targa italiane në një nga lagjet periferike të qytetit të Mamurrasit.

Ata u bënë pre të atentatit nga dy bashkëmoshatarët e tyre të cilët menjëherë më pas u larguan në drejtim të paditur, por sonte përfunduan në duart e policisë, disa orë pasi për kapjen e tyre, u ofrua shpërblimi 10 mijë euro për informacione në rrugë anonime.

Policia e Shtetit nuk konfirmoi nëse kapja e dy të dyshuarve ishte rrjedhojë e informateve në rrugë anonime pas shpërblimit të vendosur.

r.n/NOA

KOMENTE