English

Baniak: Impresionuese Shpejtësia E Zhvillimit Të Ekonomisë Shqiptare

- Kryeministri Berisha takon një delegacion biznesi nga Polonia, kryesuar nga zv/ministri i Ekonomisë, Rafal Baniak - TIRANË, 7 Qershor/ATSH/.- Zëvendësministri i Ekonomisë së Polonisë, Rafal Baniak ndërsa u shpreh sot i impresionuar nga shpejtësia e zhvillimit të ekonomisë shqiptare, garantoi mbështetjen e mëtejshme të Polonisë në rrugën e integrimit europian të vendit tonë. Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Sali Berisha priti sot në takim një delegacion të biznesit polak që po viziton vendin tonë, të kryesuar nga zv.ministri Baniak. Delegacioni ndodhet në Shqipëri për të marrë pjesë në Forumin e përbashkët të biznesit polako-shqiptar, ku marrin pjesë rreth 25 biznese polake dhe dhjetëra biznese shqiptare. Ai vlerësoi mjaft pozitiv faktin se gjatë kësaj vizite, përfaqësuesit e shoqatës më të madhe të biznesit në Poloni do të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi me Konfindustrian shqiptare. "Shqipëria ka pasur rezultate shumë të dukshme në lidhje me përmirësimin e klimës së biznesit dhe për këtë nga Banka Botërore u rendit e dyta për nga shpejtësia e zhvillimit, gjë që ka shërbyer edhe si shembull në hapat e ndërmarra për lehtësimin e biznesit në Poloni", tha Baniak. Gjatë takimit, ai shprehu mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë polake për arritjet e Shqipërisë, si anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave. Nisur nga fakti se Polonia merr vitin që vjen kryesinë e radhës së BE-së, Baniak garantoi mbështetjen në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian. Duke u ndalur te situata ekonomike, ai tha se "Polonia dhe Shqipëria ishin të vetmet vende me rritje ekonomike gjatë krizës botërore, në vitin 2009", duke veçuar rezultatet në secilin vend. "Polonia shënoi një rritje prej 1.8 për qind, ndërsa Shqipëria me 3.5 për qind. Ky tregues është shenjë e qartë e dinamizmit të ekonomisë shqiptare dhe asaj polake, gjë që mund të përbëjë një bazë të fortë për bashkëpunim më të madh", tha Baniak. Më tej, i prezantoi Kryeministrit Berisha planin ekonomik të zhvillimit të Polonisë, që është i përqëndruar në infrastrukturë, përmirësimin e burimeve njerëzore dhe inovacionin në ekonomi, plan që do të financohet nga qeveria polake dhe BE. Kryeministri Berisha vlerësoi mbështetjen e Polonisë për anëtarësimin në NATO të vendit tonë, liberalizimin e vizave dhe integrimin europian. Marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit me shtetin polak, tha Kryeministri, duhen thelluar më tej edhe në fushën ekonomike. Duke prezantuar reformat e ndërmarra nga qeveria, veçanërisht në fushën ekonomike, Berisha theksoi se "leksioni i nxjerrë nga kriza ekonomike botërore ishte se mbështetja e investimeve private dhe e biznesit në tërësi janë çelësi i suksesit dhe rritjes ekonomike". "Eksperienca e Shqipërisë tregoi që kjo politikë dhe strategji ekonomike ishte e suksesshme. Ndërtimi i infrastrukturës rrugore, shkurtimi përgjysëm i distancave me Tiranën dhe dixhitalizimi i ekonomisë vazhdojnë të mbeten përparësi e qeverisë", tha Kryeministri. Ai garantoi përfaqësuesit e bizneseve polake se "qeveria do të mbështeste çdo iniciativë investimi të tyre, duke garantuar suksesin"./m.m//n.m/
KOMENTE