English

Berisha: Drejtuesit E Ps-Së Po Pengojnë Integrimin E Vendit Për Interesa Personale

- Kryeministri Berisha takohet me banorë të komunës Farkë, disa kilometra në juglindje të Tiranës - TIRANË, 7 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, se drejtuesit e Partisë Socialiste bëjnë gjithçka për të penguar integrimin e vendit vetëm për interesin e pushtetit të tyre. Kryeministri Berisha ndodhej sot në komunën e Farkës, disa kilometra në juglindje të Tiranës, ku përuroi një shkollë 9 - vjeçare dhe u takua me banorë të zonës. Në fjalën e tij para banorëve, Kreu i Qeverisë u shpreh se "drejtuesit e PS-së po përpiqen shumë të luajnë me të drejtat dhe interesat më themelore të vendit". Rruga drejt Europës, sipas Kryeministrit Berisha, "është udhëtimi më fisnik që ka ndërmarrë ndonjëherë vendi në historinë e tij". Kjo rrugë është e pandalshme, vijoi Kryeministri, ndërsa shtoi se "qytetarët shqiptarë sot kanë rrugë dhe shkolla moderne dhe i kanë dëshmuar mbarë botës që dinë të zhvillojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme". Duke renditur arritjet kryesore të vendit në drejtim të proceseve integruese dhe liberalizimit të vizave, Kryeministri Berisha theksoi se "drejtuesit e PS-së bënë përpjekje të turpshme për të mashtruar shqiptarët dhe janë të gatshëm të bëjnë gjithçka kundër interesave të vendit, dhe vetëm për interesat e tyre personale". "Këta zotërinj duan me çdo kusht që për interesat e tyre të rrënojnë interesat e fëmijëve tuaj. Le të kthehemi bashkë vetëm në pranverën e vitit të kaluar, se si çdo ditë, darkë dhe emision, ata kërkonin që të mos merreshin letërnjoftimet elektronike, duke i konsideruar këto dokumenta si taksa e votës. Qytetarët shqiptarë e kuptuan se këto dokumenta ishin interesi jetik i tyre, ndaj dhe 1.5 milionë zgjedhës shqiptarë i morën ato në kohë rekord", tha Kryeministri Berisha. Sipas tij, "drejtuesit e PS-së nuk kanë asnjë interes tjetër, përveç interesave të karriges, xhepave dhe kontove të tyre". "Ata kanë tmerr nga vota dhe vullneti juaj dhe janë të gatshëm ta shkelmojnë atë, në çdo rast vetëm e vetëm që të ndërtojnë pushtetin e tyre. Le të vazhdojmë në rrugën tonë, ata me shpifje, ne me shkolla të reja; ata me mashtrime, ne me rrugë të reja; ata me trillime ne me kanalizime, ujësjellësa dhe standarde. Le të ftojmë çdo shqiptar të djathtë dhe të majtë, apo pa parti, që të ecim së bashku drejt Shqipërisë europiane", tha Kryeministri Berisha. /s.s./
KOMENTE