English

Berisha: Opozita Të Bashkëpunojë Për Të Ndryshuar Kodin Penal

TIRANË, 7 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha ftoi sot, Partinë Socialiste që të bashkëpunojë për të ndryshuar Kodin Penal të Shqipërisë. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Berisha i'u referua ligjit "Për faljet", të cilin e konsideroi, "një ndër ligjet më të rëndësishme të vendit në rrafshin juridik dhe moral". Por sipas tij "pika e ligjit që ka të bëjë me përfshirjen ose jo në sistemin e faljeve të atyre që kanë marrë dënim përjetë, bie ndesh me qëndrimin dhe opinionin e ekspertëve të vendit". "Në situatën aktuale të Kodit Penal shqiptar, pas dënimit përjetë, ka dënim të dytë maksimal me 25 vjet. Në rast se deputetë të PS-së bien dakord që të ndryshojë Kodi Penal dhe afati i dënimit jo maksimal të mos jetë më 25 vjet, por më tepër, ne mund të mos bëjmë përjashtime në sistemin e faljes. Konkretisht, Britania e Madhe e ka 61 vjet, Italia 100 vjet dhe vende të tjera 50 vjet", tha Kryeministri Berisha. Ai shtoi se "mund të mos bëjmë përjashtime në sistemin e faljes, por me kusht që të ndryshohet paraprakisht ligji, pasi ata që janë dënuar përjetë, kanë kryer krime, ndër më të rëndat dhe të rrezikshmet". Komisioni i ligjeve nisi sot shqyrtimin e projektligjit "Për faljen", propozuar nga Ministria e Drejtësisë, i cili synon përcaktimin e kritereve dhe procedurave të dhënies së faljes për personat që vuajnë dënimin me vendim gjyqësor./n.m/
KOMENTE