English

Berisha: PS duhet të pranojë heqjen e imunitetit të deputetëve

Tiranë, 7 qershor, NOA Update – Megjithë situatën e pazgjidhur politike Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar nga Partia Socialiste që të votojë nismën për heqjen e imunitetit dhe ndryshimet në ligjin e faljeve.

Për të dyja këto çështje, Berisha ka theksuar se mazhoranca është e gatshme për dialog. Në mënyrë të veçantë ai u ndal në ligjin për heqjen e imunitetit duke e cilësuar atë si masën më të mirë kundër korrupsionit.

“Ofrojmë alternativë, kë të dojë PS, po të dojë të zbatojë rekomandimet e Komisionit të Venecias, por edhe sikur ndryshime kushtetuese t’i bëhen draftit, realizimi do të ishte një shërbim i madh që i bëhet qytetarëve dhe vendit”, ka thënë Berisha duke e ftuar opozitën për një kompromis.

Ai tha se mazhoranca është e gatshme për një ligj të tillë. “Ky ligj shkoi në Komisionin e Venecias, u shqyrtua dhe ka ekspertizën e shkëlqyer të këtij Komisioni. Unë shpresoj dhe dua shumë të shpresoj që PS ta pranojë sepse do t’i bëjë një shërbim shumë të madh këtij vendi”, tha Berisha.

Në mbledhjen e grupit të deputetëve të PD-së, Kryeministri Berisha ka theksuar se është e nevojshme që opozita të kuptoj rëndësinë e këtij ligji.

m.xh/NOA

KOMENTE