Berisha: Të Pezullohet Çdo Aktivitet Në Derdhje Të Lumenjve Që Nxit Erozionin
- Kryeministri Berisha merr pjesë në prezantimin e studimit për gjendjen e erozionit detar dhe përcaktimin e masave për mbrojtjen ndaj tij -
TIRANË, 7 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot pezullimin e çdo leje dhe aktiviteti në derdhjen e lumenjve që ndikon negativisht në problemin e erozionit, duke i dhënë përparësi absolute pyllëzimit sa më intensiv të vijës bregdetare.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në prezantimin e studimit për gjendjen e erozionit detar dhe përcaktimin e masave për mbrojtjen ndaj tij, që u zhvillua në ambientet e Pallatit të Kongreseve.
Kreu i Qeverisë përgëzoi grupin e punës për paraqitjen e këtij studimi realisht serioz, për një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme. Sipas tij, "ky studim paraqet gjendjen reale të këtij fenomeni me pasoja thellësisht negative në bregun shqiptar, pasi gllabëron sipërfaqe të mëdha të tokës dhe kërcënon zona të tëra me përmbytje".
Erozioni është kanceri më i egër i tokës, tha Kryeministri Berisha, ndërsa theksoi, se "ky fenomen ka kudo një fuqi shkatërrimtare, por në Shqipëri ne kemi një proces eroziv shumë agresiv, veçanërisht në bregun Adriatik të vendit".
Kryeministri theksoi se "studimi paraqet një situatë realisht emergjente në brigjet e vendit, e cila kërcënon qindra dhe mijëra km katrorë tokë, vlera të mëdha historike dhe zhdukjen e plazheve tradicionale".
Duke iu referuar vizitës së fundit në Patok, të rrethit Kurbin, Kryeministri Berisha u shpreh se pavarësisht investimeve të qeverisë për përmirësimin e infrastrukturës në këtë zonë, "plazhi i asaj zone ka përfunduar ndoshta në 100 apo 150 metra në thellësi të detit".
"Në tërësi Ultësira bregdetare është shumë e kërcënuar. Një faktor një ndikon negativisht në këtë drejtim është dora dhe veprimtaria keqbërëse e njeriut, sidomos në rrënimin e derdhjeve të lumenjve, por dhe në shkatërrimin e pyjeve që janë prita shumë të rëndësishme".
Kryeministri Berisha theksoi se "është e domosdoshme që me urgjencën më të madh të bllokohet çdo veprimtari kërcënuese për shtretërit e lumenjve, që nuk janë të pakët në këtë zonë, nga Buna, Mati, Ishmi, Erzeni, Vjosa dhe Shkumbini".
Duke kërkuar pyllëzimin e vijës bregdetare, Kryeministri u shpreh se "në bashkëpunim me komunat dhe qarqet duhet të përcaktohet me përparësi të madhe mbjellja dhe kultivimi i drurëve, që frenojnë këtë fenomen".
Kryeministri garantoi se "qeveria do ta shndërrojë në një program pune këtë studim dhe do të fillojë zbatimin e tij".
"Duhet të ngrihet një institucion për marrjen e të gjitha masave për mbrojtjen nga erozioni dhe një tjetër institucion për të monitoruar efikasitetin e këtyre masave", tha ai.
Ngrohja globale është një faktor me ndikim të fuqishëm në këtë fenomen negativ, tha Kryeministri Berisha, duke kërkuar hartimin e një plani veprimi, mbi bazën e rekomandimeve të këtij studimi.
"Duhet të mbikëqyrim me metodat më moderne vijën bregdetare, duke shfrytëzuar të dhënat më preçize satelitore apo filmimet periodike. Ne duhet të disponojmë bankën e të dhënave më të sakta, të ndryshimeve dhe të problematikës që krijon erozioni në brigjet tona", tha Kryeministri Berisha.
Duke marrë fjalën, Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, tha se studimi u ndërmor në kuadër të një urdhri të Kryeministrit në datën 16 maj 2010. "Është krijuar një grup pune për studimin e fenomenit, i drejtuar nga Ministria e Punëve Publike, në përbërje të së cilit është ministria e Mjedisit, Ministria e Turizmit, Ministria e Financave, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Universiteti Politeknik i Tiranës etj", tha Olldashi./s.s./