Bërthamore - Kompania "Shel" Rifillon Eksportin E Benzinës Në Iran
TEHERAN, 7 qershor /ATSH-ANSA/ - Pas një ndërprerje prej rreth shtatë muajsh, kompania anglo-holandeze e naftës "Shell" ka rinisur eksportin e benzinës në Iran, pavarësisht presioneve amerikane për izolimin e Republikës islamike për shkak të programit bërthamor, shkruan sot e përditshmja iraniane "Teheran Times".
"Shell" ka dorëzuar muajin e kaluar tre ngarkesa me nga 30 mijë tonë benzinë në portin iranian të Bandar Abbas, thekson gazeta duke cituar një lajm të gazetës "International Oil Daily". Eksportimi i fundit i "Shell" daton në tetor të vitit 2009. Më pas "Shell" dhe kompani të tjera ndërkombëtare i ndërprenë eksportimet drejt Iranit për të mbështetur përpjekjet e Perëndimit, kryesisht SHBA-së, për ta vënë nën presion qeverinë iraniane, në kuadër të çështjes bërthamore.
Pavarësisht se është prodhuesi i naftës i pestë në botë, Irani është i detyruar të importojë rreth 40 për qind të nevojës për benzinë sepse nuk disponon sistemin e mjaftueshëm për rafinim. Kongresi amerikan e ka miratuar vendimi për të ndaluar eksportimet e benzinës drejt Iranit por teksti nuk është dërguar ende në Shtëpinë e Bardhë në pritje që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të shprehet për një projektrezolutë që parashikon sanksione të reja ndërkombëtare për Iranin.
/e.v/