English

Busti I Heroit Kombëtar Shqiptar, Skënderbeut, Vendoset Në San Cosmo Albanese

TIRANË, 7 Qershor/ ATSH/.- Busti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është vendosur në komunën San Cosmo Albanese ose e njohur ndryshe me emrin arbëresh Strigar, të Italisë. Burime nga Ministria e Turizmit, Kultures, Rinise e Sporteve, bejne te ditur se "mbrëmjen e 2 qershorit, në Festën Kombëtare të Italisë, banorët festuan edhe vendosjen e bustit të Skënderbeut në qendër të komunës afër bustit të Zef Serembes". Dhjetëra banorë nga kjo komunë dhe nga komunat arbëreshe përreth si, San Demetro Albaneze, u mblodhën në qendër të komunës para bashkisë, ku banda frymore ekzekutoi himnet kombëtare të Shqipërisë dhe të Italisë, dhe ku afër bustit të Serembes, i lindur pikërisht në Strigar, u zbulua një tjetër bust kuptimplotë, ai i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vepër e skulptorit Gentian Tabaku, dhuratë për këtë komunë nga qeveria shqiptare. Kryetari i komunës së San Cosmo Albanese, Antonio Mandera, shprehu mirënjohjen e komunitetit që përfaqëson ndaj qeverisë shqiptare për dhuratën e çmuar dhe për kujdesin që ajo tregon për kulturën shqiptare. Ndërsa këshilltari i kryeministrit shqiptar, Neritan Ceka dhe këshilltari i ministrit të TKRS, Bardhyl Londo, nënvizuan faktin që vendosja e bustit të Skënderbeut u bë e mundur pikërisht në ditën e festës të Italisë, duke falenderuar qeverinë italiane për të gjitha mundësitë që ka krijuar për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës të lashtë dhe të re shqiptare në Itali. Pas kremtimit mbresëlënës që iu kushtua Vaçe Zelës në Bazel të Zvicrës dhe që mblodhi gjithë inteligjencën shqiptare që punon e jeton në Zvicër, inaugurimi i bustit të Skënderbeut është një tjetër rast i shfrytëzuar nga MTKRS, për të mbledhur përsëri shqiptarët, kësaj here të një historie shumë të lashtë, për t'u treguar se për qeverinë shqiptare kultura që ata krijojnë në çdo vend të botës ku ndodhen, mbetet një përparësi. Sipas një projekti të MTKRS, së shpejti buste të tjerë të Skënderbeut apo të personaliteteve të tjera të shquara të kulturës dhe historise shqiptare, pritet të vendosen pothuajse në të gjitha fshatrat arbëreshe. Këto komuna që deri tani në emrat e rrugëve të tyre kanë ruajtur gjithë historinë e Shqipërisë të lashtë dhe të re në tabela dygjuhëshe, shqip dhe italisht, do të kenë mundësi në të ardhmen nën kujdesin e MTKTRS të zhvillojnë dhe ruajnë më tej traditat e tyre shqiptare, të cilat i duan dhe i respektojnë aq shumë./s.d//a.ke/
KOMENTE