English

Dënimi me burg në Bruksel, flet Idajet Beqiri: Korrespodenca që trembi Mbretërinë e Belgjikës

Tiranë, 7 Qershor 2010 NOA – Idajet Beqiri, kryetar i Partisë së Unitetit Kombëtar dhe më tej drejtues në disa shoqata kombëtare, aktualisht kryetar i Forumit të Avokatëve të Shqipërisë, reagon pas vendimit të gjykatës belge që i dha katër vjet burg për nxitje urrejtjeje.

Idajet Beqiri thotë në intervistën e mëposhtme se nuk i trembet arrestimit nga policia belge: "Nuk i trembem për shumë arsye. Kam frikë se duhet të jenë autoritetet belge ato që i trembë shkuarja ime në Belgjikë. Madje këtë vendim të pazbatueshëm nga vetë ata, autoritetet belge e dhanë edhe për shkak se tremben në se unë shkojë dhe jetojë përsëri në Belgjikë. Me sa duket korrespodenca ime prej 2800 faqe kompjuterike që “sekuestruan” nga kompjuteri im dhe kanë lexuar e ka shtuar së tepërmi këtë trembje”, - deklaroin z.Beqiri pas vendimit.

Si do e cilësonit vendimin e Gjykatës së Namurit ne Belgjikë?

Vendimin gjyqësor të Gjykatës së Naumrit, në Belgjikë e konsiderojë si një vendim të vonuar politik. Të vonuar, sepse ngjarjet përkojnë me vitet 2002-2003. Përse i doli kaq vonë gjumi drejtësisë belge?! Politike, sepse momenti që është gjendur për të gjykuar këtë çështje, nuk mund të merret i shkëputur nga disa mbrapështira të tjera antishqiptare që po bëjnë qarqe të caktuara evropiane në dëm të shqiptarëve dhe kombit të tyre. Politike edhe sepse gjithçka “arsyetohet” dhe vihet në ngarkimin tim, është tipike nga ato “agjitacionet e propagandat” që gjykoheshin në Shqipërinë komuniste të para viteve 1990!

Jam njohur vetëm me akuzën që më bëhet nga Prokuroria e Mbretërisë së Belgjikës, ndërsa vendimi gjyqësor ende nuk më ka rënë në dorë. Sikurse jeni në dijeni, procedimi, hetimi dhe gjykimi i çështjes ndaj meje u bë në mungesën time. Në kundërshtim me Kartën e OKB Për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut si dhe me Kartën Evropiane të Lirive Themelore dhe të Drejtat e Njeriut, ndoshta nga mungesa e fakteve dhe e provave që kishin kundër meje, ndoshta nga frika e ballafaqimit me të vërtetën, organet e drejtësisë belge më mohuan të drejtën e pjesëmarrjes time në procedim, në hetim dhe në gjykim, duke zhvilluar një proces të parregullt ligjor.

Sinqerisht jam befasuar nga akuza e Prokurorisë, por nga ana tjetër kam ndjerë edhe një keqardhje. Keqardhje jo për Prokurorinë e Belgjikës, sepse në fund të fundit, edhe kjo Prokurori është e përbërë prej njerëzish që kanë interesa dhe i shërbejnë dikujt. Por keqardhje për drejtësinë e një shteti ligjor, anëtare e BE, siç është Belgjika, keqardhje për mendësitë e vjetra të disa vendeve të BE-së, të cilave ora u ka mbetur në vitin 1913! Keqardhje edhe për aspiratën e popullit dhe vendit tim, që kaq shumë ëndrra të bukura kemi parë dhe shohim me integrimin tonë të plotë si anëtare e BE-së, dhe kaq shumë zhgënjime pësojmë kur shohim se vende të caktuara të këtij Unioni, në fushën e drejtësisë, të cilën ne, shqiptarët, e kemi plagën më të rëndë që kemi përjetuar dhe përjetojmë, janë po si ne, por me një ndryshim “të vogël”.Ky ndryshim konsiston në faktin se këtu në Shqipëri, prokurorët dhe gjyqtarët, në përgjithësi, janë djem dhe vajza të reja, madje fizikisht të bukur, ndërsa në Belgjikë janë përgjithësisht burra dhe gra të vjetër, e madje këto të fundit shumë pak dallojnë nga burrat që kanë lindur dhe vdesin me vetulla të ngrysura!

Akuza është e mbushur me sllogane politike, me supozime të pabazuara në prova dhe në fakte, e për më keq, këto hamendësira kanë mbetur, siç themi ne juristët penalistë, në fazën e përgatitjes. Pra, edhe sikur të ishin të vërteta supozimet dhe hamendësitë që bëhen prej Prokurorisë së Mbretërisë së Belgjikës, ato janë të pa dënueshme penalisht sepse “veprimet” kanë mbetur në fazën e përgatitjes së veprës penale. Kryerja e një vepre të dënueshme penale kalon përmes disa fazave. Faza e përgatitjes nuk dënohet në një shtet të vërtetë ligjor. Ndërsa tentativa po, dënohet. Një vepër penale që ishte në fazën e përgatitjes dënohej vetëm në sistemin e diktaturës komuniste. Një e tillë tipike që dënohej në atë sistem ishte agjitacioni e propaganda kundër shtetit, apo përgatitja për arratisje jashtë atdheut!

Akuza e ngritur kundër meje në Belgjikë dhe gjykimi i shkallës së parë ishte nga çdo pikëpamje “agjitacion e propagandë për krijimin e Shqipërisë Etnike”!

Kush mendoni se fshihet pas këtij procesi, duke pasur parasysh që ju për këtë çështje jeni gjykuar njëherë?

Akuza është e njëjtë me atë të vitit 2003. “Faktet” që konsiderohen “të dënueshme” janë ato që lidhen me funksionin tim si Kryetar i Partisë së Unitetit Kombëtar dhe si Sekretar Politik i FBKSH. Thelbi i akuzës konsiston në faktin se, duke qenë me funksionet e mësipërme, unë kamë udhëhequr struktura politike të cilat kanë patur si qëllim bashkimin e të gjithë shqiptarëve në trojet e tyre në Ballkan në një shtet të vetëm demokratik kombëtar. Madje më akuzojnë se këto struktura politike, të cilat kamë udhëhequr, ishin krahu politik i Armatës Kombëtare Shqiptare, një strukturë ushtarake kjo, e cila, sipas akuzës, kishte ndërmend që kur të shternin mjetet demokratike dhe diplomatike për bashkimin e shqiptarëve në trevat e tyre në një shtet të vetëm kombëtar, të përdornin forcën për t’u ndarë me ato shtete që mbajnë padrejtësisht nën sundimin e tyre trojet dhe popullin tonë!

Për këtë çështje dhe për këto akuza ndaj meje doli një “arrest ndërkombëtar”. Duke qenë nënshtetas belg, në vitin 2003 u shpalla në kërkim në 184 vende të botës. Në fundin e vitit 2003 u bë i mundur ekzekutimi i këtij urdhri për arrest ndërkombëtar në Kostancë të Gjermanisë. Pas gjashtë muaj paraburgim, hetim e gjykim, jam ekstraduar në Shqipëri. Këtu, në gjendje arresti, i jam nënshtruar gjykimit në të tre shkallët e gjyqësorit shqiptar. Gjykata e Apelit Tiranë, e më pas Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, të vëna në lëvizje me apel dhe rekurs të Prokurorit të Përgjithshëm, më kanë deklaruar të pafajshëm. Madje pas vendimeve gjyqësore të formës së prerë, jam dëmshpërblyer edhe me 28 milion lekë për procedimin dhe burgosjen e padrejtë që më bënë në vitet 2003-2004.

Drejtësia belge më gjykoi rishtaz në 3 qershor 2010 me të njëjtat akuza, me të njëjtat fakte, me të njëjtat episode, e madje me të njëjtat citime të “dëshmitarëve”, si atëherë ne vitin 2004 në gjykimet që u zhvilluan në Shqipëri. Çfarë fshihet pas këtij procesi?-pyesni ju me të drejtë. Fshihen shumë gjëra, të ndërvarura nga njëra-tjetra. Kryesorja janë motivet politike, por ka edhe aspekte të rëndomta ekonomike.

Janë plotë 5 shtete të BE që ende nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës. Vërtetë paska kaq shumë “arsye” dhe kaq pak forcë politike dhe diplomatike BE që të mos i bind, e madje t’i detyrojë këto vende të BE që ta njohin Shtetin e Ri të Kosovës? Aq më shumë që shqiptarët janë kombi më i vjetër i Evropës, janë një popull afro 10 milion në trevat e tyre në Ballkan, dhe për më tepër, Kosova është në Evropë, është e martirizuar, e vrarë dhe e gjenociduar historikisht, por dhe përmes një luftë të padrejtë e me tipare fashiste që bëri kundër tyre Serbia, ky vend që u ndëshkua ashpër prej forcave të NATO-s për këtë gjenocid që bëri ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Vallë rastësi është që EULEX-i në Kosovë nëpërkëmb si pa gjë të keqe shtetin e ri të Kosovës, institucionet e tij të ligjëshme, udhëheqësit e tij legjitim, duke u hyrë në zyra e nëpër shtëpira, duke i bastisur e duke i akuzuar për gjoja “korrupsion”? Rastësi është që po ky EULEX lejon udhëheqjen postmillosheviçiane të Beogradit të sotëm të hyjnë me forca të armatosura brënda kufirit të shtetit të ri të Kosovës, në Mitrovicën Veriore dhe të bëjnë fushatë elektorale, sikur të ishin në Serbi?!

Pse është i interesuar ky EULEX që shteti i ri i Kosovës të mos bëhet vërtetë shtet, por dëshirojnë ta mbajnë ende të mbërthyer pas qerres së Serbisë?

Meqenëse akuzat e Beogradit dolën “slifjo” në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës për Fatmir Limaj dhe udhëheqës të tjerë të shquar të UÇK që sollën pavarësinë e Kosovës, për fatin e keq, Serbia po ndihmohet nga EULEX për t’a realizuar këtë “mision të pamundur” të saj. Në këtë kuadër, dhe pikërisht në këtë kohë, por me “fakte” që u ka dal boja qysh në vitin 2004, po zhvillohet edhe gjykimi i çështjes kundër meje në Belgjikë.

Unë Belgjikën e konsiderojë atdhe të dytë timin, sepse në momente jetike për mua dhe familjen time, ajo më mori në mbrojtje, më dha azilin politik, e madje fëmijëve të mi u dha mundësinë financiare të shkollimit e i ka bërë shtetas belg. Për të gjitha këto unë i jam mirënjohës Belgjikës. Por kurrsesi nuk mund të pajtohem me “afeksionin” që ka një pjesë zyrtare e Belgjikës për Serbinë, e cila arrin deri aty sa “i fal” Serbisë luftërat gjenocidiste që bëri në Bosnje, Kosovë dhe Kroaci, që buzëqeshin vesh më vesh për “Serbinë e Madhe”, por nuk lënë fjalë pa thënë e mallkim pa bërë kur vjen puna tek Bashkimi i shqiptarëve në Ballkan në shtetin e tyre kombëtar.

Është puna e tyre që për t’i shprehur dashurinë Serbisë duke emërtuar edhe një qytezë në Namur të Belgjikës me emrin Beograd (Belgrad), por nuk është në të mirë të drejtësisë njerëzore, të barazisë, të lirisë, të shtetit ligjor, të pengojnë shqiptarët në realizimin e aspiratës së tyre të ligjshme dhe natyrale.

Një arsye tjetër është edhe fakti se Belgjika është një vend i vogël i BE. Puna kryesore në këtë vend janë shërbimet që bëjnë në institucionet e NATO-s dhe BE-së që janë me seli qendrore në Bruksel. Me sa duket, duke parë frymën antiterroriste të kohës, për të siguruar ndonjë subvencionim financiar në emër të luftës kundër “terrorizmit”, organet e drejtësisë belge pas 7 vjetëve nga ikja ime nga Belgjika, e gjetën “kurbanin” e vetëm tek mua!

Ka edhe disa arsye të tjera që nuk ia vlen t’i përmend.

Duke e parë nga ana juridike a është e mundur që të gjykohesh për të njëjtën akuzë dy herë në dy vende të ndryshme?

Parimi i gjësë së gjykuar dhe i mos dënimit të askujt dy herë për të njëjtin fakt dhe për të njëjtën akuzë. Që lidhet me këtë fakt, është një parim juridik universal, i nënvizuar në Konventën Evropiane të Lirive Themelore dhe të Drejtave të Njeriut. Gjykata e Shkallës së Parë e Belgjikës në datën 3 qershor 2010 e shkeli rëndë këtë parim universal me rastin e gjykimit të çështjes kundër meje. Jam i bindur që këtë gabim fatal juridik të gjykatës së shkallës së parë të Namurit, do e korrigjojë Gjykata e Apelit në Bruksel.

Kur është hapur procesi ndaj jush në Belgjikë, para apo pas procesit në Shqipëri?

Faleminderit për këtë pyetje, sepse më dhatë mundësinë t’ju them një fakt domethënës. Kur më arrestuan në Kostancë të Gjermanisë në vitin 2003, unë i kam dërguar një letër Mbretit të Belgjikës dhe Ambasadorit të Belgjikës në Berlin të Gjermanisë. Ju thosha se isha nënshtetas belg qysh nga viti 1997. Në se kam bërë ndonjë veprim të kundërligjshëm, -vazhdoja në letrën time,- atë e kam bërë duke qenë qytetar i Belgjikës. Ndaj,-u kërkoja,- ndërmjetësoni të më ekstradojnë në Belgjikë, dhe ju, të më hetoni dhe të më gjykoni në se kam kryer ndonjë vepër penale. Mbreti i Belgjikës ngarkoi Ministren e Drejtësisë së Belgjikës, e cila pasi bëri verifikimet përkatëse dhe pasi e studioi rastin tim, përmes një shkrese zyrtare më vinte në dijeni se unë mbahesha në paraburgim në Gjermani për interes të shtetit shqiptar, pasi akuzat kishin të bënin me nxitje të urrejtjes nacionale që kisha kryer si udhëheqës politik shqiptar, kundër Serbisë dhe Maqedonisë. Dhe për deri sa nuk keni kryer asnjë vepër penale në Belgjikë,- vazhdonte Ministria e Drejtësisë së Belgjikës,- ne nuk mund të kërkojmë ekstradimin tënd në Belgjikë. Dhe unë u ekstradova në Shqipëri dhe u gjykova këtu.

Kush është qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj këtij gjyqi, pasi ju jeni një shtetas shqiptar dhe shteti ka përgjegjësitë e veta? Në vitin 2005 Prokuroria e Mbretërisë së Belgjikës kërkojë ekstradimin tim në Belgjikë për këto akuza politike që po gjykojnë sot. Shteti shqiptar u ktheu përgjigjen se unë isha gjykuar në të trija shkallët e gjykimit në Shqipëri, dhe kisha marrë pafajësinë. Deri sa kemi të bëjmë me të njëjtat akuza,-nënvizonte shteti ynë shqiptar, përmes Prokurorisë së Përgjithshme,- nuk mund të gjykohet e dënohet ky person për së dyti, për të njëjtat fakte. E madje, - theksoi Prokuroria jonë e Përgjithshme, me Kushtetutë, Shqipëria e ka të ndaluar të ekstradojë shtetas të saj për gjyqe e dënime me karakter politik.

A i trembeni një kërkesë të autoriteteve belge për riarrestimin tuaj?

Nuk i trembem për shumë arsye. Kam frikë se duhet të jenë autoritetet belge ato që i trembë shkuarja ime në Belgjikë. Madje këtë vendim të pazbatueshëm nga vet ata, autoritetet belge e dhanë edhe për shkak se tremben në se unë shkojë dhe jetojë përsëri në Belgjikë. Me sa duket korrespodenca ime prej 2800 faqe kompjuterike që “sekuestruan” nga kompjuteri im dhe kanë lexuar e ka shtuar së tepërmi këtë trembje.

Cili do të jetë qëndrimi juaj ndaj këtij procesi, a do t’i ndiqni shkallët e tjera të gjyqësorit belg?

Po pres të më dërgojnë përmbajtjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë të Namurit. Pasi ta studiojë, së bashku me avokatin tim belg, do i drejtojmë Gjykatës së Apelit në Bruksel kundërshtimin tonë. Kemi besim të plotë, si unë, dhe posaçërisht avokati im, që do marrë pafajësinë e radhës në shkallën e dytë. Në të kundërtën do t’i drejtohem Gjykatës së Lartë të Mbretërisë së Belgjikës...e më pas Gjykatës Evropiane Për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

FUND

KOMENTE