Durrës: Kampionati I Futbollistëve Të Verbër, Fitues Ekipi I Lezhës
DURRËS, 7 Qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/.- Ekipi i Lezhës është shpallur mbrëmjen e kaluar kampion i turneut të futbollit, që u organizua në Durrës nga Qendra Kombëtare e Rehabilitimit të të verbërve dhe shoqata e "Të verbërve shqiptarë".
Në tapetin e gjelbërt të kompleksit "Niko Dovana" të qytetit bregdetar u vunë në garë 6 skuadra përfaqësuese nga Elbasani, Lezha, Tepelena, Tirana, Shkodra dhe Vlora.
Ndeshjet që zgjasin 60 minuta janë bazuar te një top me zile, i cili i orienton futbollistët e verbër për të kontrolluar sferën dhe për të provuar magjinë e lojës. Falë tingujve të fortë që dëgjohen nga topi sfera bëhet 'e dukshme' për futbollistët kurajozë, të cilët nuk i janë dorëzuar fatit, por përkundrazi kërkojnë mbështetje për ta përballuar atë si njerëz normalë.
Në ndeshjen finale Lezha ka mundur Elbasanin falë një 11-metërshi të shënuar mjeshtërisht.
Arjan Hysa, që mbajti shiritin e kapitenit të Elbasanit në këtë finale, është një avokat i njohur në qytetin e tij. Kur ishte tre vjeç ai humbi plotësisht shikimin nga një shpërthim i vatrës së zjarrit, teksa ngrohej mbi oxhak. Por avokati gjen forca të ngushëllojë shokët e tij për humbjen dhe me një sportivitet për t'u admiruar uron kundërshtarët nga Lezha për fitoren.
Tashmë është 36 vjeç, por mosha dhe verbëria nuk e pengojnë aspak për të provuar emocionet e fushave të blerta.
Sipas rregullores, lojtarët e këtij turneu ishin krejtësisht të verbër dhe vetëm portierët kanë verbëri të pjesëshme.
/s.s./