Elbasan: Ambasadori Gjerman, Shqiptarët Në Fund Të Vitit, Do Të Lëvizin Pa Viza Drejt Be
ELBASAN 7 Qershor/ATSH, Miranda Sadiku/- "Pas masave shtesë që duhen marrë nga qeveria, shqiptarët mund të lëvizin pa viza në BE brenda vitit", u shpreh të hënën në Elbasan, Ambasadori gjerman, Bernd Borchard,
Duke folur para studentëve në fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin "Aleksandër Xhuvani", Borchard u ndal tek marrëdhëniet Gjermani-Shqipëri.
"Gjermania ka qenë dhe është mbështetës i plotë i Shqipërisë, dhe uroj që masat shtesë që duhen marrë nga qeveria Shqiptare do të ndihmojnë në plotësimin e kushteve, dhe them se nga fundi i këtij viti, shqipëtarët nuk do të jenë të detyruar të marrin viza ", tha Ambasadori gjerman.
"Ne besojmë se e vetmja mënyrë për t'u përballur me lodhjen që vjen nga zgjerimi i BE nga vende të ndryshme të Europës Perëndimore, është plotësimi i kushteve rigoroze," tha ambasadori në referatin për studnetët e gjuhëve të huaja.
"Për Gjermaninë është shumë e rëndësishme të theksohet se zgjerimi do të kryhet në bazë të meritave të shteteve individuale," tha ai.
"Problemet që keni pasur në Shqipëri me proçesin e zgjedhjeve do t'a vështirësojë punën e Komisionit për t'i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Kjo është theksuar shumë qartë nga Komisioni dhe Parlamenti Europian i cili ka nënvizuar se pret një zgjidhje të shpejtë politike në Shqipëri," shtoi më tej ambasadori Borchard.
Sipas tij, "me t'u zgjidhur ky problem, Shqipërisë do t'i jepet statusi i vendit kandidat dhe BE duhet të marrë edhe një tjetër vendim unanim, me qëllim që të fillojnë negociatat për pranimin e Shqipërisë dhe nëse gjithçka zhvillohet normalisht, proçesi mund të përfundojë në vitin 2011, apo në 2012".
Sipas Ambasadorit "Shqipëria duhet të hartojë një strategji dhe politikë më të mirë për të mbështetur integrimin e emigrantëve të kthyer, duhet të ketë një zbatim më të efektshëm të kuadrit ligjor në luftën ndaj korrupsionit, gjithashtu duhet të përmirësojë kuadrin ligjor në fushën e konfiskimit të aseteve ose pronave të krimit të organizuar. Gjatë kësaj vere Komisioni do të vëzhgojë nëse Shqipëria i plotëson këto kushte dhe në vjeshtë shtetet anëtare dhe Parlamenti Europian do të marrin vendimin nëse liberalizimi i vizave do të jepet në atë kohë".
"Ne jemi optimistë që kjo do të jetë e mundur," u shpreh ambasadori.
Ambasadori u ndal te mbështetja që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në fushën e bashkëpunimit të zhvillimit nëpërmjet ndihmesës së dyanshme si dhe nëpërmjet aksioneve të BE-së. Sipas tij, pas vjeshtës së 2008, Gjermania vendosi ta trefishonte alokimin e fondeve. /ch/