English

Emiratet e Bashkuara Arabe, investime të mëtejshme në ekonominë shqiptare

Tiranë, 7 Qershor, NOA – Pas financimit për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit, Emiratet e Bashkuara Arabe do të vijojnë edhe më tej investimet në ekonominë shqiptare.

Këtë mbështetje e ka dhënë ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe Abdelhadi Alkajah në takimin që pati sot me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Ilir Meta, për paraqitjen e letrave kredenciale.

Gjatë takimit u vlerësuan niveli i marrëdhënieve midis dy vendeve dhe u shpreh besimi për zhvillime të reja në të ardhmen në rrafshin ekonomik dhe kryesisht në fushën e investimeve.

Tregues konkret është hapja së shpejti e Ambasadës së Shqipërisë në Abu Dhabi.

Zëvendëskryeministri Meta, i shprehu falënderimet ambasadorit Alkajah, rezident në Athinë, për mbështetjen e vazhdueshme që Emiratet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë me financimin e projekteve të rëndësishëm, si ndërtimi i Aeroportit të Kukësit, angazhimi për financimin e një pjese të autostradës së re Tiranë-Elbasan, përmes fondit të Abu Dhabit.

Ambasadori Alkajah siguroi ministrin e Jashtëm meta, për gatishmërinë e qeverisë emiratase në të mirë të forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe politik, dy palësh e shumëpalësh, gjë që sipas përfaqësuesit të Emirateve të bashkuara në Tiranë, tregon për miqësinë e konsoliduar mes dy popujve.

Duke shprehur mirënjohjen e qeverisë shqiptare për kontributin që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dhënë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë, duke ndaluar posaçërisht në njohjen që i është bërë nga ky vend shtetit të Kosovës, zëvendëskryeministri Meta shprehu dëshirën për të pritur së shpejti në Tiranë, ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

mit/NOA
KOMENTE