English

Faqet zyrtare të institucioneve në Maqedoni, edhe në gjuhën shqipe

Shkup, 7 Qershor, NOA - Qeveria e Maqedonisë në një nga mbledhjet e fundit ka vendosur që të gjitha faqet zyrtare të institucioneve qeveritare, duke u nisur nga faqja zyrtare e qeverisë do të kenë edhe versionin e gjuhës shqipe.

Kjo nismë ka ardhur pas kërkesës së ministrave shqiptarë, se po pengohet e drejta e komunikimit mes institucioneve, shoqërisë civile dhe qytetarëve.

Ministria e Informatave dhe shërbimi për informim i qeverisë është obliguar që të përgatis një listë me institucionet dhe ministritë, të cilët do të duhet të përmbushin kushtin dhe të jenë edhe në gjuhën shqipe, përveç gjuhës maqedonase dhe asaj angleze. Mirëpo, deri tani një pjesë e ministrive dhe disa drejtorive janë edhe në gjuhën shqipe, sidomos atje ku ministrat apo udhëheqësit janë kuadro shqiptare.

Zëdhënësi i qeverisë, Shefik Duraku ka nënvizuar se është sjellë konkluzion se cilat ministri dhe institucione deri tani nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe. Detyrimi që në të ardhmen të jenë faqet e internetit edhe në shqip ka të bëjë me të gjitha institucionet”, ka theksuar Duraku.

Problemi i komunikimit elektronik edhe kohë më parë ishte ngritur si çështje debati, mirëpo nuk pasoi asnjë zgjidhje nga organet qeveritare. Edhe presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov nuk ka respektuar gjuhën shqipe, duke mos e vendosur në faqen zyrtare të internetit.

NOA-INA

KOMENTE