Evia, Greqi, 7 Qershor 2010 NOA – Një 29-vjeçar shqiptar u bë objekt atentati në orët e para të ditës së sotme pasi u qëllua me armë zjarri në një vrasje tipike mafioze, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Ngjarja ka ndodhur në një familje shqiptare në Filo të rajonit të Evias në Greqi. Viktimë e atentatit, është një 29-vjeçar, baba i tre fëmijëve, emigrant prej disa vitesh në Greqi.
Burime zyrtare policore të cilat citohen nga korrespondenti i agjencisë NOA, bëjnë të ditur se natën duke gdhirë dita e Hënë, 29-vjeçari flinte gjumë me të shoqen dhe një nga vogëlushët kurse dy të tjerët gjendeshin në dhomën tjetër.
Në rrethana ende të paqarta, në banesë ka hyrë një person i maskuar, i cili është drejtuar direkt në dhomën e gjumit të çiftit dhe ka bërë zhurmë me qëllim që shënjestra i tij të zgjohej.
Në këto momente, çifti u zgjua përnjëherësh dhe sapo 29-vjeçari befti nga shtrati, personi i maskuar ka hapur zjarr me një pistoletë, duke qëlluar me tre plumba në trup shënjestrën e tij.
E shoqja e viktimës është lemerisur nga skena e frikshme e po ashtu dhe tre fëmijët që u zgjuan po ashtu të tmerruar.
Krejt gjakftohtë, autori pasi është siguruar se viktima i tij nuk po lëvizte, ka dalë qetësisht nga banesa duke u larguar për në drejtim të paditur.
Gruaja e të plagosurit ka kërkuar menjëherë ndihmë dhe një makinë ambulance e transportoi në spital 29-vjeçarin, por mjekët shprehen se gjendja e tij është kritike për shkak të tre plagëve të marra.
Në vendngjarje ka mbërritur policia e cila hedh një pistë të vrasjes. Aludohet që probleme ekonomike mes babait në moshë të re dhe autorit ende mister, të kenë shtyrë këtë të fundit të kryejë me sukses atentatin mafioz.
n.s/NOA