Shijak, 7 Qershor, NOA – Një arsenal i vërtetë luftarak i përbërë nga një automatik, 1 pushkë 20–ëshe, 3 krehëra automatiku dhe 50 fishekë, është bilanci i një kontrolli të ushtruar ndaj një personi në shtëpinë e tij, ndërsa është denoncuar nga e shoqja pas një konflikti.
Ngjarja konfirmohet nga burimet e policisë së Durrësit për agjencinë e Lajmeve NOA, duke konfirmuar se personi të cilit iu gjendën këto armë është Pëllumb Peposhi, 46-vjeç, banues në fshatin Rinia të Shijakut.
Kontrolli ndaj tij u ushtrua, bazuar në një telefonatë të bërë në polici nga bashkëshortja e tij e cila ka deklaruar konflikt me burrin e saj.
Materialet proceduriale në ngarkim të tij për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake” iu kaluan për ndjekje prokurorisë së Durrësit.
n.e/NOA