Iaea Pret Ende Një Përgjigje Lidhur Me Marrëveshjen Për Këmbimin E Uraniumit
VJENË, 7 qershor /ATSH-AFP/ - IAEA pret ende një përgjigje zyrtare nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Rusia për marrëveshjen e shkëmbimit të uraniumit të arritur mes Iranit, Turqisë dhe Brazilit, njoftoi kreu i agjencisë së OKB-së, Yukiya Amano, sot në Vjenë.
Gjatë hapjes së mbledhjes së qershorit të këshillit të 35 guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Amano shtoi se ia ka transmetuar, menjëherë pas marrjes, më 24 maj, marrëveshjen iraniano-turko-braziliane Uashingtonit, Moskës dhe Parisit.
"Pres tani përgjigjet e tyre dhe do të vazhdoj bisedimet me të gjitha palët e përfshira", deklaroi kreu i IAEA-s.
Sipas disa diplomatëve të afërt me agjencinë, tre vendet, anëtare të grupit të Vjenës, kanë hartuar një përgjigje të përbashkët dhe pritet t'ia dorëzojnë së afërmi Amanos.
Nën mbikëqyrjen e IAEA-s, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Franca, kanë propozuar në teor t'i japin Iranit lëndë djegëse për reaktorin e tij kërkimor, që përdoret për qëllime mjekësore, në këmbim të rezervës së tij të uraniumit të varfëruar. Por, Teherani e ka kundërshtuar këtë zgjidhje dhe më në fund ka nënshkruar një marrëveshje me Brazilin dhe Turqinë.
Perëndimorët e pritën ftohtë këtë hap, duke e cilësuar të pamjaftueshëm për të zbutur shqetësimet lidhur me natyrën e vërtetë të programit bërthamor iranian. Ata dyshojnë se Teherani kërkon të pajiset me armën atomike nën pretekstin e një programi civil, gjë që Teherani e përgënjeshtron.