English

Infeksionet nga pishinat, Higjiena: Të publikohen më parë udhëzuesit e tyre

Tiranë, 7 qershor, NOA /Blerina Ahmetaj - Me rritjen e temperaturave, një nga vendet më të preferuara për qytetarët mbeten pishinat.

Por specialistët e Drejtorisë së Shëndetit Publik thonë paraprakisht se qytetarët që frekuentojnë pishinat, duhet të njohin më parë rregulloren e tyre, pasi në shumicën e rasteve janë pikërisht ata që ndotin më shumë ujin, gjë e cila u sjell më pas probleme me lëkurën e tyre.

Sipas specialistit Emin Mezini, shumë prej tyre nuk respektojnë higjienën personale, çka bën që të përdorin pishinat pa larë këmbët apo me trupin të lyer me krem. Kjo sjell një dehidratim të ujit duke ndryshuar ngjyrën e tij.

Mezini thotë se për të mbajtur pastër pishinat, ato duhen dezinfektuar 2 herë në ditë por shumë prej pronarëve e shmangin këtë rregull, gjë që sjell probleme me shëndetin e pushuesve.

Në fillim të muajit maj, Drejtoria e Higjienës në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik kanë monitoruar pishinat publike e private që gjenden në Tiranë e rrethe.

Nga kontrolli i ushtruar në këto subjekte, vihet re mungesë informacioni apo udhëzuese për përdorimin e pishinave nga qytetarët.

“Për të vëzhguar nga afër higjienën e pishinave, pronarët kanë caktuar një person i cili merret me sasinë e klorit që duhet hedhur gjatë ditës. Reaksioni kimik që ndodh mes ujit të pishinave dhe kremrave që përdorin pushuesit ndryshon pehashin apo aciditetin e ujit duke mos i dhënë atij ngjyrën e pastër që duhet të ketë. Përveç mungesës së kulturës shëndetësore të pushuesve, një problem mbetet publikimi i udhëzuesve. Pronarët duhet t’i publikojnë rregulloret e përdorimit të pishinave, kur duhet dhe kur jo të futen në to”, thotë specialisti i Higjienës.

Sipas specialistëve të Drejtorisë së Shëndetit Publik, pishinat duhet të dezinfektohen me klor dy herë në ditë në darkë dhe në mëngjesin e ditës së nesërme. Por neglizhenca e pronarëve të tyre bën që uji të ndotet me bakterie duke sjellë irritime të lëkurës së pushuesve.

b.a/n.e/NOA

KOMENTE