Këshilli I Mandateve:Votimi I Dekreteve Të Presidentit Një Votim Substancial, Jo Formal
- Këshilli vijon shqyrtimin e amendimeve të rregullores parlamentare -
TIRANË, 7 Qershor/ATSH/.- Anëtarët e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve gjatë mbledhjes së sotme ndanë të njëjtin mendim, duke e konsideruar votimin e dekreteve për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, si një votim jo formal, por substancial.
Sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit, sot u zhvillua mbledhja e katërt e Këshillit të Mandateve, ku vijoi diskutimi mbi përmbajtjen e propozimit të një grupi deputetësh për një ndryshim në rregulloren e parlamentit.
Anëtarët e Këshillit theksuan se parimi i transparencës, si përgjegjësi politike ushtrohet përmes votimit të hapur. Çdo deputet duhet të ushtrojë e të mbajë përgjegjësinë e votës së tij.
Duke sjellë modele të votimit të anëtarëve të Gjykatave në SHBA dhe në vende të ndryshme të Europës, anëtarët e Këshillit thanë se transparenca në votimin e kandidaturave është një instrument thelbësor parlamentar.
Deputetët propozues thanë se ky përmirësim i rregullores vjen si rezultat i një procesi dinamik dhe një eksperience parlamentare të këtyre viteve, si një domosdoshmëri për të ndjekur plotësisht frymën e Kushtetutës dhe mbi të gjitha, për të rritur transparencën dhe nivelin e përfaqësimit cilësor në sistemin e drejtësisë.
Këshilli i Mandateve po zhvillon nga java e kaluar shqyrtimin e dy ndryshimeve në rregulloren parlamentare të propozuara nga deputetët e maxhorancës. Ndryshimi i parë konsiston në votimin e hapur të dekreteve të Presidentit, ndryshe nga mënyra si është bërë deri më sot, kur votimi i tyre është bërë me kuti ose i fshehtë me elektronikë.
Amendamenti i dytë parashikon ndryshimin e afateve kohore të shqyrtimit dhe votimit të dekreteve në Kuvend nga tri javë që është aktualisht, në tetë javë. Ky ndryshim synon të mundësojë një seancë dëgjimore më të plotë dhe më cilësore me kandidatët për postet në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, para se dekretet të përcillen në Kuvend.
Debati për këto ndryshime në Këshill do të vijojë gjatë ditëve të ardhshme./a.s/s.s./