Komisioni I Ekonomisë Miraton Marrëveshjen Për Heqjen E Taksimit Të Dyfishtë Me Gjermaninë
TIRANE, 7 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të hënën marrëveshjen për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe evazionit fiskal për taksat mbi të ardhurat dhe kapitalin me Gjermaninë.
"Kjo marrëveshje luan një rol të rëndësishëm në kompleksin e faktorëve që garantojnë, favorizojnë dhe stimulojnë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare ndërmjet dy vendeve", thanë ekspertë të ministrisë së Financave.
Ndërsa kryetari i komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, u shpreh se p/ligji krijon një bazë ligjore për trajtimin tatimor të individëve, personave juridikë shqiptarë apo gjermanë që kanë veprimtari biznesi ose të ardhura të tjera që parashikohen ne juridiksionin tatimor të dy vendeve.
"Në të përcaktohet qartë mënyra se si do të shmanget tatimi i dyfishtë, duke i dhënë të drejtën për tatimin e të ardhurave të caktuara vetëm njërit shtet, apo duke e ndarë këtë të drejtë ndërmjet dy shteteve, por pa e rënduar subjektin me tatim të dyfishtë", tha ai.
Në marrëveshje, çështjet më sensitive janë tatimi i dividentit dhe interesit.
Deri tani qeveria shqiptare ka nënshkruar rreth 30 marrëveshje të tilla me shtete të ndryshme, me shumicën e të cilave qeveria shqiptare ka shkëmbime tregtare në nivele të larta.
Gjermania rezulton partneri i tretë tregtar i Shqipërisë. Në vitin 2009 eksportet drejt Gjermanisë llogariten 25 milionë euro, ose 4.9 % e totalit të eksporteve./s.s./