English

Konfindustria, marrëveshje me Konfederatën e Punëdhënësve Polakë

Tiranë, 7 qershor, NOA – Konfindustria dhe Konfederata e Punëdhënësve Polakë kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet tyre.

Kjo u realizua në kuadrin e një vizite shtetërore të nivelit të lartë të organizuar në Shqipëri nga ministria e Ekonomisë së Polonisë, shoqëruar nga një grup i madh i kompanive polake të fushave të ndryshme.

Marrëveshja e nënshkruar nga kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku dhe Andrzej Malinovski, president i Konfederatës së Punëdhënësve Polakë, përmban fillimet e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve të dy vendeve të përqendruara në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë si industria energjetike, riciklimit, mekanike, agro-ushqimore, turizmit, informacionit teknologjik etj.

Gjithashtu, palët shprehën edhe vullnetin e përbashkët institucional për pjesëmarrje në projektet shoqëruese të procesit të integrimit të financuara nga Bashkimi Europian në fusha të tilla si formimi profesional, menaxhimi inovativ etj. n.e/NOA

KOMENTE