Kosove - Hapet Panairi I Librit "Prishtina 2010"
PRISHTINË, 7 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Është hapur sonte në kryeqytetin e Kosovës panairi i 12-të i librit "Prishtina 2010", me më se 100 shtëpi botuese dhe 1500 tituj të rinj, të botuesve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës etj.
Në përurimin e panairit kanë marrë pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ministri kosovar i Kulturës, Lutfi Haziri dhe ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka, të cilët vlerësuan e mbështetën organizatorin - Shoqatën së Botuesve të Kosovës, duke i përkrahur përpjekjet e të gjithë botuesve për një kthim më të gjerë të librit në mesin e lexuesve.
"Kosova ka një histori të veçantë dhe të dhembshme të librit, sikur edhe vetë historia e popullit të saj. Libri, bashkë me njerëzit, ndiqej e digjej, ndalohej e falsifikohej, por qarkullonte fshehurazi dhe lexohej dorë më dorë. Me të brezat tanë jo vetëm iluminoheshin, por edhe edukoheshin, frymëzoheshin e mobilizoheshin në përpjekjet për liri dhe jetë dinjitoze", tha kryeparlamentari Krasniqi.
Panairi do të jetë i hapur deri më 13 qershor dhe do të shënojë edhe disa përvjetorë - të Nënë Terezës, Gjergj Fishtës, Anton Çettës, Zekeria Rexhës, Abetares së Zymit, si dhe 80 vjetorin e lindjes së shkrimtarit Ramiz Kelmendi, i cili mori pjesë në ceremoninë e hapjes.
Menjëherë pas luftës në Kosovë më 1999, është organizuar panairi i parë i librit në Prishtinë, i cili ishte ndër aktivitetet e para kulturore bashkë me një koncert të mbajtur në Prizren nga artistë nga Kosova e Shqipëria. /a.ke/