Kroaci - Kryeministri: "Po"-Ja E Sllovenisë E Rëndësishme Për Ballkanin
ZAGREB, 7 qershor /ATSH-AFP/ - Kryeministrja kroate Jadranka Kosor deklaroi sot se "po"-ja e Sllovenisë për përdorimin e një marrëveshjeje arbitrazhi ndërkombëtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjes kufitare me Kroacinë është e rëndësishme për të gjithë rajonin që aspiron të anëtarësohet në BE.
"Një faqe e rëndësishme u kthye, një mesazh i rëndësishëm inkurajues iu dërgua Evropës Juglindore", deklaroi Kosor për shtypin.
"Ky është një zhvillim i ri në bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian", deklaroi Kosor. "Më e rëndësishmja është se ne jemi lënë mënjanë nga bisedimet me BE-në për shkak të gjetjes së një zgjidhjeje për mosmarrëveshjen kufitare".
Suksesi i "po"-së heq një pengesë të madhe për një anëtarësim të shpejtë të Zagrebit në Bashkimin Evropian, sepse Sllovenia, i pari vend i anëtarësuar në BE ndër vendet e ish-Jugosllavisë komuniste, në vitin 2004, ka kërkuar zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje përpara integrimit të Kroacisë, për të cilën Zagrebi shpreson të arrihet në vitin 2012.
Shtypi kroat i përshëndeti njëzëri rezultatet e referendumit në Slloveni duke bërë të ditur se fitorja e "po"-së hap një "kapitull të ri" në marrëdhëniet mes dy vendeve.
"Tre për qind e sllovenëve kanë hapur rrugën tonë drejt BE-së", njofton e përditshmja "Jutarnji List" duke theksuar diferencën e vogël mes "po"-së dhe "jo"-së në referendum.
"Fundi i 'luftës' kroato-sllovene për kufijtë detarë", ishte titulli i "Novi List", që thekson se sidoqoftë "të gjitha problemet" mes dy vendeve nuk janë zhdukur, duke aluduar për depozitat bankare të kroatëve në një bankë sllovene që është zhdukur në çastin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
"Megjithatë, kemi hedhur një hap të rëndësishëm, sepse një problem është zgjidhur më në fund në mënyrë të qytetëruar", shtoi e përditshmja.
Mosmarrëveshja kufitare mes Kroacisë dhe Sllovenisë ka të bëjë me disa kilometra nga brigjet dhe disa milje detare në detin Adriatik, në gjirin Piran, me një dalje direkte në det për Slloveninë, sfidë themelore për Ljubjanën.
Kjo mosmarrëveshje kufitare ka penguar përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje që prej pavarësisë së tyre, në vitin 1991, pas shpërbërjes së Jugosllavisë komuniste.
/I.Pu.