Kukës: Kërkimet Për 6-Vjeçaren E Humbur, Bleona Mata, Jashtë Kufirit Shqiptar
TIRANË, 7 Qershor /ATSH - Mira Shkurta /.- Kërkimet për 6-vjeçaren e zhdukur nga Zapodi i Kukësit, Bleona Mata, në 22 maj të këtij viti, janë shtrirë sot në Dragash të Kosovës, në kufirin mes Zapodit dhe Prizrenit.
Një operacion i përbashkët kërkimi mes policisë shqiptare dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës, ka nisur paraditen e së hënës në Dragash të Kosovës, ku mbi 100 efektivë të policisë së dy vendeve, kanë nisur krehjen e të gjithë majës së Dragashit, ndërkohë që në këtë operacion janë përfshirë edhe forca te emergjencave civile të dy vendeve si dhe ekspertë të hetimit të krimit.
Drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit, Sadri Ramçaj, u shpreh në linje telefonike për ATSH-në nga Dragashi, ku ndodhet që prej mëngjesit të ditës së sotme, se "kërkimet për gjetjen e vajzës do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim".
Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim ndërkombëtar të miturën Bleona Mata, e humbur pasditen e datës 22 maj vetëm 500 metra nga banesa e saj në bjeshkët e Zapodit, teksa kulloste bagëtitë, nderkohe qe banorët gjetën xhupin e saj në lëndinën sipër fshatit.
Policia ka vënë 3 milionë lekë shpërblimin për çdo informacion mbi zhdukjen e mistershme të 6- vjeçares Bleona Mata.
Per ngjarjen e rëndë, e cila ka tronditur jo vetëm banorët e zonës, por gjithë opinionin, shkoi në Zapod drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i cili siguroi angazhim maksimal për zbardhjen e ngjarjes. Ai bëri të ditur se do të ketë bashkëpunime të ngushta me policinë e Kosovës dhe të Maqedonisë, në mënyrë që kërkimet intensive të shtrihen edhe jashtë kufijve. /a.ke/