English

Lezhë, Qëllohen Me Armë, Vdes Në Vend Një 23 Vjeçar, Ndërsa Një 27 Vjeçar Ndërron Jetë Në Spital

LEZHË, 7 Qershor./ATSH-G. Marku/- Dy persona janë qëlluar për vdekje me armë zjarri në orët e vona të mesnatës së djeshme në qytetin e Mamurrasit, në rrethin e Kurbinit. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë e Qarkut të Lezhës, Eliona Nika, tha për ATSH-në se shtetasi Ersid Rama, rreth 23 vjeç, dhe Albert Seiti, rreth 27 vjeç, që të dy banues në Mamurras, janë qëlluar me armë zjarri nga persona të paidentifikuar, ndërsa ndodheshin në një autoveturë "Renault", me targa italiane AZ 248 AV. Si rezultat i plagëve të marra, drejtuesi i mjetit, Ersid Rama, ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që shtetasi tjetër që ndodhej me të në makinë, Albert Seiti, është dërguar urgjent në Spitalin Ushtarak në Tiranë në një gjendje shumë e rëndë dhe megjithë ndihmën e dhënë nga mjekët e këtij spitali, edhe ai ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Sipas policisë, në vendngjarje është gjetur dhe bllokuar një automatik kallashnikov, i cili ndodhej në duart e 27 vjeçarit Seiti, ndërsa në afërsi të mjetit është gjetur përtokë një pushkë pesëshe. Ekspertët e shërbimeve të sektorit të krimeve te rënda të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Lezhës po punojnë për sqarimin e rrethanave, identifikimin e kapjen e autorëve si dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes./s.s./
KOMENTE