Prishtinë, 7 qershor, NOA – Zv/kryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri, i ka thënë BBC-së se kompromisi më i madh që shqiptarët mund të bëjnë është pavarësia e Kosovës.
Pavarësia, sipas tij, është e panegociueshme dhe paketa e Ahtisaarit është e përmbyllur dhe paraqet një zgjidhje të qëndrueshme.
Sipas Hazirit, një zgjidhje të tillë Serbia duhet ta pranojë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve dhe fillimit të procesit të pajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve.
Zëvendëskryeministri i Kosovës këto komente i bëri si përgjigje ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm serb, se për Kosovën mund të gjenden kompromise, por në kuadër të Serbisë.
Z.Haziri, bazuar në deklaratën e tij se pas 120 ditëshit shtesë, Kosova do të jetë e pavarur, cfarë mund të na thoni?
Kërkesa që ka dalë nga Grupi i Kontaktit, pas komplikimeve në KS të OKB-së, ka të bëjë me angazhimin e ri shtesë, për t'i bindur të gjithë ata që kanë hezitime, apo që dëshirojnë të shohin edhe më shumë mundësinë e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, që për ne kjo është e pamundshme.
Procesi i zotit Ahtisaari ka treguar qartë se nuk mund të arrihet asnjë lloj marrëveshje, mes këtyre dy vendeve, rreth pavarësisë së Kosovës.
Andaj, ne në emër të delegacionit të Kosovës, realisht presidenti Sejdiu ka deklaruar në debatin e të së hënës në Kuvend, se gatishmëria ekziston dhe ne do të bëjmë gjithçka për të dëshmuar angazhimin tonë.
Por, pas 120 ditësh do të shteren të gjitha mundësitë dhe të gjitha rrugët, dhe pritja e gjatë e Kosovës duhet të shpërblehet me pranim ndërkombëtar të pavarësisë së vendit.
Zoti Haziri, a nuk mendoni ju se këto biseda shtesë nuk po bëhen më për pavarësinë e Kosovës?
Ajo që është thënë deri tash është se bisedat shtesë do të bëhen vetëm rreth statusit të Kosovës dhe nuk do të ketë çështje të tjera, nuk do të ketë bisedime të ashtuquajtura teknike, sepse një angazhim i tillë ka përfunduar gjatë misionit të presidentit Ahtisaari.
Unë plotësisht besoj se këto 120 ditë konsultimesh shtesë, do të jenë edhe një mundësi për të dëshmuar se Beogradi është larg qëndrimit real sa i përket zgjidhjes së statusit të Kosovës.
Formulat e tyre janë të paqëndrueshme, qasja është joserioze dhe fshihet gjithnjë prapa krijimit të rrethanave për shtyrje dhe vonesë, si dhe për moszgjidhje të problemit.
Por zoti Haziri, ministri i Jashtëm serb, Jeremiq, ka deklaruar se Serbia është e gatshme të bëj kompromis me shqiptarët e Kosovës. Mirëpo, sipas tij, këta të fundit gjithashtu duhet të jenë të gatshëm për kompromise. Ai është angazhuar për një lloj pavarësie të Kosovës por në suaza të Serbisë?
Po ky është ai qëndrim të cilin unë e sqarova më herët se është jo serioz dhe i paqëndrueshëm. Ky është qëndrim për të krijuar rrethana në nivel ndërkombëtar të një politike përcarëse dhe të imagjunuar nga pala serbe.
Ne në Kosovë na kujtohet se ish-Jugosllavia ka dështuar mu për shkak të Serbisë, në lidhje dhe propozime fleksibile që janë propozuar atëbotë nga udhëheqësit e ish-Republikave.
Serbia ka qenë ajo që ka kundërshtuar cdo lloj tendence dhe cdo lloj zgjidhje, që solli më pastaj katër lufta në ish-Jugosllavi. Kjo është realisht një qasje shumë e vonuar, pas shumë vitesh dhe pas gjithë tragjedisë që ka ndodhur në Kosovë.
Vetë fakti se Mali i Zi, si pjesa e fundit e ish-Jugosllavisë, që përmes Referendumit ka deklaruar pamundësinë e bashkëjetesës me Serbinë, tregon qartë se shqiptarët etnik të Kosovës dhe shumica e popullatës së Kosovës, nuk sheh asnjë lloj mundësie dhe fundja më 10 qershor të vitit 1999 është shkëputur cdo lloj asociimi, cdo lloj lidhje dhe tendence që dikush ka mundur të shoh Kosovën të lidhur me Serbinë.
Kjo është e paqëndrueshme. Kompromisi më i madh është pavarësia e Kosovës, të cilën Serbia duhet ta pranojë dhe duhet të fillojë normalizimin e marrëdhënieve që do të conte gradualisht në një pajtim në mes serbëve dhe shqiptarëve.
Në këtë plan, kur është fjala për statusin, ka patur ditëve të fundit deklarime në shtypin beogradas se po shqyrtohet një mundësi e një konfederate të Kosovës me Serbinë. Ka mundësi që të realizohet një gjë e tillë?
Është absolutisht e papranueshme dhe joserioze që në këtë fazë të procesit të definimit të statusit të kemi një qasje të tillë, apo të shkëmbimit të territoreve që janë përpjekje për të ndarë Kosovës, ose të zhvendosjes së popullatave që janë po ashtu të paqëndrueshme dhe johumane.
Ky angazhim në Serbi po shihet për nevoja të brendshme të vetë Serbisë. Kjo është një tendencë që çon drejt një politike që tashmë është e kuptueshme dhe e qartë se përmes pjesëmarrjes aktive në definimin e statusit të krijohen rrethana të shtyrjes dhe destabilizmit të Kosovës për të krijuar rrethana krejt të tjera për Serbinë.
Kjo, fatkeqësisht, është e njëjta politikë dhe nuk kemi ende një angazhim serioz për të pasur qasje positive dhe konstruktive në zgjidhjen e problemit.
Mandati ynë është i qartë: pavarësia e Kosovës është e panegociueshme, ashtu sikur se edhe paketa e zotit Ahtisaari është e përmbyllur dhe ne e mbështesim si një zgjidhje të qëndrueshme dhe garanci për të gjitha grupet etnike që jetojnë në Kosovë.
BBC