English

Ndërron Jetë Poeti Ndoc Gjetja

TIRANË, 7 Qershor/ ATSH- Suada Daci/.- Poeti i njohur shqiptar, Ndoc Gjetja, ka ndërruar jetë sot në moshën 66- vjeçare. "Ndoc Gjetja ishte jo vetëm një poet, por dekani i shkollës poetike të Lezhës", vlerësoi në një prononcim për ATSH-në, krijuesi dhe politikani Preç Zogaj. I tronditur nga vdekja e mikut të tij, Zogaj tha se, "me vdekjen e Ndoc Gjetjes një copë e jetës së poetëve lezhianë është shuar". "Gjetja ishte një poet i lindur. Ndonëse u rrit në një ambient të varfër, ai do të karakterizohej si një njeri me ndenja të thella njerëzore", tha Zogaj. Sipas tij, "ai do të kujtohet si njeriu që ngriti lart figurën e poetit, që hoqi dorë nga të gjitha, për të mos hequr dorë nga poezia". Ndoc Gjetja u lind më 9 mars 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës. Kur ishte shtatë vjec, prindërit e tij u vendosën me banim në Lezhë. Në vitin 1970, filloi të botojë poezitë e para. Studiues të njohur e kanë cilësuar Ndoc Gjetjan, si një poet që di me çdo varg t'i bjerë bukur tastierës së humanizmit dhe këtë frymë e timbër të zërit të vet kurrë nuk u rrek ta tradhëtonte. Besnik i patundur i bindjeve e prirjeve të veta, si një orakull, ai shkruajti gjithmonë me atë sinqeritet siç u shfaq aq i befasishëm kur ishte veçse një gjimnazist në Lezhë. Ai ka shkruar veprat "Rrezatim", "Shqiponja rreh krahët", "Qëndresa", "E përditshme", "Çaste", "Kthimet", "Dhjata ime", "Biri i njeriut". Ka qenë 13 vjet kryeredaktor i revistës "Skena", mbyllja e së cilës e nxori të papunë dhe shënoi shtegtimin nga Tirana drejt Lezhës në vitin 1995 ku jetoi deri ne fund te jetes. /a.ke/
KOMENTE