Nëse para një viti ai ishte një patericë për Berishën, sot Berisha nuk është thjesht një aleat i Metës, por është një shpresë, nëse nuk do të jetë një ngushëllim për atë
Nga Artan Mullaj*
Duket se shpërthimi ende i pabërë i dashurisë mes Berishës dhe Metës, ka gjasa mos ndodhë asnjëherë. . . Të dy palët e koalicionit që sot qeveris Shqipërinë, nuk ndjejnë aq magjisht njëra për tjetrën sa të bëjnë marrëzira, por ato e kanë kuptuar dobinë e sakrificave të mëdha që duhet të bëjnë për të siguruar në aventurën e tyre, një ardhmëri të qetë, të gjatë dhe të pushtetshme. Prandaj, edhe Meta, edhe Berisha, si ai çifti që zgjedh të bashkëjetojë edhe për hir të fëmijëve, paraqiten sot natyrshëm në publik, si familjarë të konsoliduar. Ka edhe një arsye tjetër që e bën të domosdoshëm kujdesin e ndërsjellë të liderëvë për dashurinë artificiale që kanë. Kjo arsye nuk ka lidhje me merakun e tyre të shtirur për integrimin e vendit, dhe as me pasurimin e tyre të shpejtë, çka është një ngjarje rutinë tashmë për ata dhe për të tjerët: të dy krerët po investojnë moralitet të ri dhe ndjeshmëri të re në mblesërinë e tyre, kryesisht për të sfiduar pa mëshirë kundërshtarin e tyre, kryetarin e fuqizuar sërish të Bashkisë së Tiranës. Sepse, që të dy, kanë aq përvojë në politikë dhe e kanë aq të zhvilluar instiktin e vetëmbrojtjes sa të nuhatin se ringritja e Edi Ramës dhe konsolidimi i tij në krye të opozitës, por edhe mbështetja civile ndaj tij, është njëherazi edhe rreziku i rrishtë i së ardhmes së martesës së tyre, që së afërmi do të ketë përvjetorin e parë.
Përkundër qasjes për të mbuluar të vërtetën e zgjedhjeve me heshtje ose me ironi të brishtë pushtetarësh, shqetësimi që ju sjell kundërshtari i tyre, lexohet qartë në formën e një ankthi që nuk mund ta fshehë me të nënqeshur as kryetari i LSI-së, Ilir Meta, dhe nuk mund ta mbulojë as me besimin tek vetja, që shfaq tepruar kryetari legjendar i demokratëve
Sot është një kohë e mirë për të bërë supozime…Kryetari trupngjeshur i LSI-së duket sikur i ka më të dukshme se kurrë në fytyrën e mallëngjyer njollat e dyshimeve për vendimin e marë para një viti për të qeverisur bashkë me Berishën. . Sepse, pavarësisht sigurisë së paqënë dhe ndershmërisë së paqënë, që edhe ky shpalos ne ekrane bashkë me të tijtë, një vit pas koalicionit me demokratët, ai dhe të tijtë nuk e dinë dhe nuk mund ta dinë, ashtu si nuk mund ta dinin as atëhere kur i thane “po” koalicionit, se çdo të ndodhë këtej e tutje me forcën e tij politike. Tani që rrjedha e gjërave ka marrë një drejtim tjetër dhe vullneti i socialistëve për trasparencë është marë seriozisht edhe nga të huajt, fati i LSI-së rrezikon të nxitojë, për fat të keq, në një drejtim të paqartë.
Në këtë mënyrë, nëse nuk është penduar ende, ka gjasa që ai të jetë përsëri fare pranë vrasjes së ndërgjegjes për tradhtinë e dikurshme që i ka bërë në rradhë të parë të shkuarës së tij, fjalimeve të tij, vizionit dhe karierës së tij dhe pastaj shkulmit socialist të integrimit e më gjerë. Sepse më shumë se kurrë, nga një forcë politike, frika se LSi s’do jetë veçse një mbetje mblesërie në të ardhmen, është reale. . Mbas një viti, kjo nuk thuhet, por ndihet, dhe kryetari I LSI-së, i cili në fakt nuk spikat për intelekt të veçantë, ka prapëseprapë aq përvojë të dobishme në politikë sa tu besojë instikteve të tij, që me siguri i kanë tundur në vesh këmbanat e gabimit fatal të dasmës së gabuar një vit më parë, vazhdojnë ti fishkëllejnë edhe sot ulërimat dhe rreziqet e mëdha të së ardhmes.
Dhe, nëse nuk ka ende vrasje ndërgjegje, kjo ndodh jo për shkak të paaftësisë së tij për të kundërshtuar vetveten, por pikërisht për shkak të urrejtjes së qartë politike ndaj Edi Ramës.
Një kthesë e papritur e Ilir Metës drejt origjinës së majtë mund të dukej normale dhe dëshmi e një shkathtësie politike të bërë me vonesë, e cila do ti shërbente vendit shumë më tepër se hipokrizia e integrimit, me të cilin ai lufton përditë për të justifikuar tradhtinë e dikurshme. Një kthesë e tillë do të ishte e mirëvlerësuar si ndjesë në këtë kohë të mbushur me ftesa për vendime të mëdha. Por, duket mjaft e vështirë të kalojë në mendjen e kryetarit të Lsi-së ideja për një divorc të mundimshëm, për sa kohë Edi Rama është në krye të kauzës së opozitës për zgjedhje të ndershme në vend. Dhe duket e pamundur, për sa kohë që Berisha është dhe qëndron në krye të qeverisë vetëm falë tij. Kjo dhuratë për kryeministrin, është i vetmi pushtet real i LSI-së, dhe ministri i jashtëm sot, për këtë shkak, është i varur dhe i mpleksur në perceptimin që humbja e këtij pushteti do të sillte rrënim të plotë për atë.
Nëse para një viti ai ishte një patericë për Berishën, sot Berisha nuk është thjesht një aleat i Metës, por është një shpresë, nëse nuk do të jetë një ngushëllim për atë.
Në fakt, jo vetëm gjykimi i së ardhmes, jo vetëm inercia sentimentale e burrërisë së Ilir Metës, për të mbajtur premtimin dhënë Berishës dhe jo vetëm vetëm babëzia e tij historike për pasuri dhe pushtet, janë arsyet që përjashtojnë divorcin fatal. Përveç këtyre, dhe sidomos përveç ringritjes shqetësuese të Edi Ramës, ka edhe një arsye të qartë se pse ai duket se do vazhdojë të qëndrojë në llogoren e pistë të Berishës. Kjo arsye është rënia e sigurtë e aksioneve të tij në mbetjen e LSI-së, çka do të thotë se kryetari i saj nuk e ka më çdo gjë në kontroll brenda partisë së tij si një herë e një kohë. Nuk i ka në kontroll as ministrat e tij fodullë në qeverinë e salduar, as forumet e spektakleve opozitare, dhe as bazën e zhgënjyer. .
Natyrisht që si për të gjithë shqiptarët, edhe për Ilir Metën, por edhe për Sali Berishën, pavarësisht euforisë mediokre të këtij të fundit, është e qartë mungesa e qartësisë së qeverisjes, sepse rezultatet negative janë fare të dukshme. Vendi është në një kolaps, shkulmit të të cilit vështirë të kuptohet se ç’lloj inercie dashamirëse do mund ti kundërvihej, për ta shpëtuar vendin nga kapitullimi I plotë. Por kjo gjë, paaftësia barbare e qeverisë për të manaxhuar vendin, e cila vërteton se rreziku më i madh i pushtetit nuk është përballja, po vetvetja, është edhe arsyeja tjetër që shpjegon afrimin e krerëvë të koalicionit dhe tërheqjen e të dyve në barikadën e fundit të betejës për të mbijetuar të bashkuar në politikë. Përveç kujës civile, pushteti integro-demokrat duhet të përballojë sot edhe kërcënimin e diçkaje sublime, siç është mungesa e trasparencës dhe korrupsioni electoral, çka polli krijimin e një kauze. Jo thjesht Edi Rama por qënia e tij në krye të kësaj kauze, shpjegon faktin se përse liderët e mazhorancës janë të shqetësuar nga paburrëria e tyre për të parë të vërteën në sy. Prandaj edhe, në njëfarë mënyre, melankolia e dukshme e çiftit, nëse nuk është thjesht humbja e dhimbshme e kontrollit, ka edhe kjo arsyet e veta: Ata e dinë se koha punon kundër tyre, sepse kauza e transparencës qëndron mbi kokat e tyre, mbi të gjithë, lart, mes reve të atdheut.
Nga ana e tij, Sali Berisha nuk duket të jetë gati për kërcënimin e paralajmëruar të kauzës vullkanike të së vërtetës, por kjo nuk është më një surprizë, ashtu si nuk ishte surprizë për askënd, kur para një viti, ai nuk ishte gati gjithashtu për fitoren e lumtur. . . Ndryshe nga Ilir Meta, por ndoshta edhe njëlloj si ai, që jo gjithmonë mund të ketë qënë i bindur për martesën e vështirë, siguria e kryeministrit ishte e betonuar para një viti, por nuk është më e tillë. Nëse para një viti lumturia më e madhe iu afrua në një kohë të gabuar, sepse shpirti i tij nuk mund të duronte fitore aq të mëdha, sot, vështirë të përballojë kthesa si kjo drejt të cilave po e shtyn opozita. Dhe është po ai lider që gjunjëzoi Nanon, sfidoi Ramën, skllavëroi Metën njëherë e mirë, por Rama është kthyer sërish në betejë, sot më i fortë se kurrë. Në prag të pleqërisë, “lideri historik” i demokratëve, kish filluar të besojë seriozisht në përsiatjet legjendare të autoritetit që kish, por gjërat tani kanë ndryshuar. Ndjesia e mbrapshtësisë ka pushtuar zemrën e kryepushtetarit në tërësi. Është kaq i qartë eklipsi në imazhin e tij, saqë askush nuk mund të thotë që në orët e vona të meditimeve, ai ende sjell si më parë, me përfytyrime, shtatoren e ardhshme të tij në sheshin “Skënderbej”, pranë heroit tjetër, që luftoi Turqinë.
(*) Dërguar nga autori, pikëpamjet e shprehura janë qëndrime personale