English

Një grek ther bashkëjetuesen shqiptare, e bija mbron nënën

Rrëfimi i plotë i 17-vjeçares që qëlloi të atin shumë herë me tigan për të mbrojtur nënën nga vdekja e sigurt. Policia arreston të dyshuarin, por edhe të miturën

Kretë, 7 Qershor 2010 NOA – Një ngjarje shokuese ka ndodhur në Greqi ku një shtetas grek ka masakruar gruan e tij shqiptare duke i prerë fytin me thikë dhe në çastet e fundit është penguar nga vajza e tyre e cila e qëlloi me tigan duke e neutralizuar dhe shpëtuar nënën.

Ngjarja ka ndodhur në Hersoniso në Iraklio të Kretës, raporton korrespondenti i agjencisë NOA. Zyrtarisht, policia tha se viktimë e masakrës mbeti një grua 37-vjeçare shqiptare, prej shumë vitesh emigrante në Greqi.

Viktima u dërgua në spitalin shtetëror të Iraklios ku gjendja e saj mbetet kritike pasi ka marrë plagë serioze në qafë pasi u qëllua katër herë me thikë.

Vajza 17-vjeçare e çiftit bashkëjetues, ka treguar për policinë, minutat e tmerrshme me të cilat u detyrua të përballet dhe më tej të ndërhyjë.

Mbrëmjen duke gdhirë dita e sotme, burri 40 vjeçar grek ka shkuar në shtëpi me një qëllim: T’i merrte jetën të shoqes. Dhe për këtë ishte armatosur dhe me një thikë që më pas e përdori brutalisht.

Sikundër tregon e mitura, i ati ka hyrë gjithë nerva në shtëpi dhe i është sulur të shoqes 37 vjeçare duke u grindur me të. Në pak çaste ka nxjerrë një thikë dhe e ka qëlluar në fyt.

“Unë dëgjova britmat e nënës dhe dola nga dhoma ime kur pashë tim atë i cili ishte ulur sipër nënës dhe po e qëllonte me thikë në fyt. E tmerruar, mora një tigan në kuzhinë dhe e qëllova me të disa herë në kokë që ta pengoja ta vriste nënën dhe nuk pushova deri sa ra poshtë”, rrëfehet e mitura e cituar nga policia greke.

Më tej ka kërkuar ndihmë dhe në pak minuta erdhi ambulanca që transportoi viktimën në spital e bashkë me të edhe të shoqin e dhunshëm.

“I dyshuari i krimit, pas mjekimit spitalor gjendet në kushte të arrestit dhe akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë me pasojë plagosjen e rëndë”, - deklaroi policia.

Por çuditë nuk kanë të sosur në këtë histori. Me akuzën e plagosjes është arrestuar edhe vajza 17-vjeçare e cila gjendet si përgjegjëse për lëndimin e të atit, ndonëse ajo ka shpjeguar se e bëri aktin për të mbrojtur nënën nga një vdekje e sigurt.

n.s/NOA

KOMENTE