Tiranë, 7 qershor, NOA Foto update – Deputeti Arben Ahmetaj, në emër të Partisë Socialiste i ka bërë thirrje dje mazhorancës që të marrë masa për krizën ekonomike. Në një deklaratë për mediat Ahmeti u shpreh se vendimet fundit të qeverisë po e çojnë vendin në recesion ekonomik.
“Viti 2010 për Shqipërinë, fatkeqësisht, është një vit i vështirë ekonomik, dhe retorikat elektorale apo premtime boshe vetëm e përkeqësojnë situatën. Një tjetër tremujor me rritje ekonomike negative, si ai i fundit 2009, do të zhyste ekonominë shqiptare në recesion akoma më të thellë”, u shpreh Ahmeti.
Ai ka theksuar se mazhoranca nuk duhet të abuzojë me shifrat e ekonomisë.
“Kemi tanimë disa muaj që përpiqemi t’i tërheqim vëmendjen Kryeministrit më të papërgjegjshëm në rajon të dëgjojë këshillat e partnerëve ndërkombëtarë e të mos tentojë të manipulojë edhe të dhënat e ekonomisë siç bëri me votat”, tha ai.
Sipas Ahmetit, prej shumë kohësh Shqipëria gjendet e zhytur në një krizë ekonomike.
Ai është ndalur dhe në deklaratën e Bankës Botërore të cilën e ka quajtur një paraljmërim serioz.
“Ditët e fundit qeveria ka marrë një tjetër paralajmërim shumë të rëndësishëm e tejet serioz nga Banka Botërore, e cila kërkon kujdes me ekonominë e sidomos me shifrat zyrtare”, tha Ahmeti.
m.xh/NOA