English

PD: Padi penale për Tom Doshin, kërcënoi me vdekje

Tiranë, 7 qershor, NOA – Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka bërë sot kallëzim penal për Deputetin e Partisë Socialiste, Tom Doshi.

Përfaqësuesit e mazhorancës kanë vendosur të padisin Doshin për kanosje ndaj deputeti të PD-së, Gent Strazimiti. Vendimi i PD-së lidhet me seancën e datës 24 maj, ku gjatë zhvillimit të saj “ Tom Doshi kërcënoi me vdekje në sallën e Kuvendit të Shqipërisë deputetin e Partisë Demokratike, Gent Strazimiri”.

Sipas deklaratës së PD-së që shoqëron padinë, “incidenti u provokua pa asnjë arsye, kur deputeti demokrat po diskutonte në foltoren e Kuvendit dhe prej tij nuk u shqiptua asnjë fjalë fyese ndaj kolegëve të opozitës”.

Grupi Parlamentar i PD-së i referohet dhe transmetimeve të mediave vizive ku pasqyrohej momenti kur Doshi kërcënonte Strazimit.

“Shumë prej mediave elektronike të vendit, transmetuan pamjet e qarta për publikun, ku shihet dhe dëgjohet qartë kanosja me jetë e kryer nga Tom Doshi. Këto pamje do t’i vihen në dispozicion organit të akuzës, duke iu bashkangjitur kallëzimit penal”, thuhet në deklaratën e grupit të PD-së.

Nga ana tjetër deputetët e mazhoranacës theksojnë se Doshi ka mjaft precedent të tjerë me ngjarje të dhunshme.

“Disa vjet më parë ai goditi barbarisht në një ambient publik të Tiranës një gazetar të shtypit shqiptar, në sy të shumë dëshmitarëve. Ngjarja bëri bujë, duke shkaktuar edhe reagimin e ashpër të shumë personaliteteve vendas dhe të huaj, por megjithatë autori nuk u ndëshkua”, thuhet në deklaratën e PD.

m.xh/NOA

KOMENTE