Presidenti Rumun, Basesku, Viziton Nesër Tiranën
TIRANË, 7 Qershor/ATSH/.- Presidenti i Republikës së Rumanisë, Trajan Basesku, me ftesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, mbërrin nesër në Shqipëri për një vizitë zyrtare një-ditore.
Sipas njoftimit zyrtar, Presidenti Basesku dhe delegacioni zyrtar që e shoqëron do të priten me një ceremoni solemne në Pallatin e Brigadave nga Presidenti Topi. Pas takimeve të parashikuara në axhendën e dy Presidentëve, në prani të tyre pritet të nënshkruhet "Memorandumi i Mirëkuptimit në fushën e Komunikacionit dhe Informacionit të Teknologjisë", si dhe "Protokolli i Bashkëpunimit midis Porteve". Në vijim, dy Presidentët do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp.
Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, Presidenti rumun do të takohet dhe me Kryeministrin Sali Berisha dhe Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Takimi me komunitetin arumun që jeton në vendin tonë, do të përmbyllë vizitën zyrtare njëditore të Presidentit rumun në Tiranë./a.s/ s.s./