English

PS: Votat e hapura, mazhoranca synon kontrollin politik për të shmangur rrjedhjen

Tiranë, 7 qershor, NOA – Vendimi i Këshillit të Rregullores dhe Mandateve për votim të hapur ndaj dekreteve të Presidentit të Republikës, përbën një thyerje të privatësisë së votës për deputetin, duke u kthyer në një lloj kontrolli politik që mazhoranca të ushtrojë mbi votat e saj, nga frika që ka prej rrjedhjes së tyre.

Kështu e ka vlerësuar opozita vendimin e Këshillit të Rregullores mbi propozimin e ri që synon të fusë si një normë të re në rregulloren e parlamentit për votimin e hapur.

Përmes deputetit socialist, Damian Gjiknuri, ajo ka vlerësuar publikisht se ky është një cënim i sovranitetit të Kuvendit, përsa i përket shprehjes në mënyrë të fshehtë për kandidaturat e Presidentit të Republikës.

“Ndërkaq, kërkimi edhe i informacioneve private ka një qëllim të thjeshtë: që t’i kompleksojnë, t’i lançojnë publikisht këto kandidatura në mënyrë që ose personat të tërhiqen vetë, ose të dënohen me një votë politike nga ana e mazhorancës”, tha ai.

Duke shtuar se “Partia Socialiste është thellësisht kundër këtyre procedurave”. “Transparenca e procedurave për zgjedhjen e kandidaturave nuk ka të bëjë shumë me aspektin e votës së fshehtë ose votës së hapur, por ka të bëjë me mënyrën sesi zgjidhen këto kandidatura, kriteret ligjore dhe profesionale që ato përmbushin. Dhe pikërisht nëpërmjet kësaj vullneti i Kuvendit shprehet nëpërmjet votës”, parashtroi më tej Gjiknuri.

Duke përfunduar reagimin e tij se “PS i qëndron pikëpamjes se mekanizmi i votës së hapur për votimin e kandidaturave, do të jetë një mekanizëm kontrolli vote në mënyrë politike. Në mënyrë që kandidaturat të vlerësohen politikisht e jo në bazë të kritereve ligjore dhe kushtetuese që duhet t’i vlerësojë Kuvendi para se t’i japë pëlqimin”.

n.e/NOA

KOMENTE