Ps: Votimi I Hapur I Dekreteve, Mekanizëm Për Të Kontrolluar Votën Në Kuvend
TIRANË, 7 Qershor/ATSH/.- Përfaqësuesit e opozitës në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve e konsideruan sot "një mekanizëm kontrolli të votës" amendimin e rregullores për votim të hapur të dekreteve të Presidentit.
"Ne i qëndrojmë pikëpamjes se mekanizmi i votës së hapur për votimin e kandidaturave do të jetë një mekanizëm kontrolli vote në mënyrë mekanike, që ato (kandidaturat) të vlerësohen politikisht dhe jo në bazë të kritereve ligjore e kushtetuese, që duhet të vlerësojë Kuvendi para se të japë pëlqimin", u shpreh gjatë një deklarate për mediat, deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Mandateve.
Duke komentuar këto ndryshime të propozuara nga deputetë të maxhorancës, Gjiknuri tha se "futja e votimit të hapur të dekreteve të Presidentit në rregullore, na duket një thyerje e privatësisë së votës për deputetin dhe një lloj kontrolli politik që maxhoranca synon të ushtrojë mbi votat e saj".
Ndërsa, ndryshimi tjetër në rregullore, që lidhet me mbajtjen e seancave dëgjimore me emrat e përzgjedhur nga Presidenti për postet në Gjykatën e Lartë e Kushtetuese, "synon t'i kompleksojë e linçojë publikisht këto kandidatura, në mënyrë që ose ata të tërhiqen vetë ose të dënohen me një votë politike nga ana e maxhorancës". /a.s/s.s./