English

Qsut: Nis Vendosja E Aparaturave Të Spitalit Të Ri

TIRANË, 7 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Në Spitalin e ri në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" ka nisur vendosja dhe instalimi i aparaturave, ndërsa komisionet e ngritura posaçërisht po punojnë për testimin e mbarëvajtjes së tyre në punë si dhe për trajnimin e stafit mjekësor që do t'i përdorë. Sipas drejtorit të QSUT-së, Ilir Dashi, ky spital është një nga sfidat më të mëdha për vitin 2010. "Ne jemi të vendosur që këtë sfidë t'a çojmë deri në fund, inaugurimin e spitalit në këto muaj", pohoi Dashi. Sipas tij, tashmë është përcaktuar grafiku i detajuar i trajnimit të stafeve mjekësorë si mjekë, laborantë, etj, për përdorimin e aparaturave mjekësore, proces që ka nisur që në 28 maj. Ndërkohë grupet për testimin dhe marrjen në dorëzim të objektit po testojnë punimet ndërtimore, elektrike, mekanike, linjat e gazrave, etj. Në spitalin e ri me 5 kate do të vendosen shërbimet e ekzaminimeve të imazherise dhe diaknostikimit, qendra e sterilizimit, urgjenca; mjekësia e përgjithshme, laboratorët klinikë, hematologjia dhe laboratori histologjik. Ky spital ka 115 shtretër për trajtimin e të sëmurëve. Në përfundim të gjithë projektit, në katin e pestë do të jenë 7 salla operacioni, 8 shtretër pas operacionit dhe Laboratori Histologjik./n.m/
KOMENTE