Prishtinë, 7 Qershor, NOA –"Beogradi, aktualisht, nuk ka kapacitete që të hyjë në bisedime për statusin e Kosovës”, vlerësoi Rada Trajkoviç, politikane serbe nga Graçanica, në intervistën për Radion Evropa e Lirë.
Ndër të tjera, ajo tha se pret një integrim të heshtur dhe jo të dhunshëm, të veriut.
Zonja Trajkoviç, si i shikoni zgjedhjet lokale të mbajtura kohë më parë në veriun e Mitrovicës dhe në Novobërdë, të organizuara nga Beogradi? Çfarë mund të prodhojnë ato dhe si e shihni rrjedhën e mëtutjeshme? Unë mendoj se zgjedhjet është dashur të tregojnë se Serbia po i shpall ato në hapësirën e Kosovës dhe se ajo ende ka ndikim institucional në këtë hapësirë, si dhe përfundimisht të tregojë se pozicioni i saj është mostërheqja nga hapësira e Kosovës. Çfarë treguan këto zgjedhje? Para së gjithash mendoj se të gjitha zgjedhjet që mbahen në këtë hapësirë, tregojnë mangësitë, me të cilat ne përballemi dhe kjo nënkupton që lojërat me numra të njerëzve, të cilat janë në listat zgjedhore, nuk janë reflektim i realitetit në terren. Fatkeqësisht, ky problem nuk ekziston vetëm sot, por është vazhdimësi e problemit të serbëve dhe shqiptarëve në këtë hapësirë që gjithmonë t’i rrisin shifrat. Unë do të thosha se në veriun e Mitrovicës, zgjedhësit janë ngritur në nivelin gati prej 20 mijë. Ky numër nuk i përgjigjet realitetit, edhe pse shumë analistë do ta shfrytëzojnë këtë shifër si diçka, me të cilën do ta shantazhojnë abstenimin e zgjedhësve serbë në këto zgjedhje. Për partitë, të cilat kanë marrë numrin më të madh të votave, mendoj në Partinë Përparimtare Serbe, Partinë Demokratike të Serbisë dhe Partinë Demokratike, është një realitet, i cili edhe është pritur. Në anën tjetër, Partia Radikale Serbe dhe disa liderë, siç thuhet, janë zhdukur si opsione të serbëve, që në veri përkrahen. Kjo përfundimisht flet se veriu i Kosovës, megjithatë është duke shkuar në drejtimin që në fakt nënkupton demilitarizimin e mendjes. Unë do të thosha se në perspektivë, ose të gjithë ata, të cilët kanë dalë në këto votime, posaçërisht në veriun e Mitrovicës, janë përgatitur për diçka që nënkupton zgjidhje të statusit të serbëve në veri dhe se ata njerëz duhet të përfaqësojnë urën e bashkëpunimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit e serbëve në veri, si dhe urë e zgjidhjes së statusit të veriut të Kosovës. Institucionet e Republikës së Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, gjithashtu po përgatiten për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat e veriut të Kosovës. A prisni dalje të serbëve në këto zgjedhje? Unë pres që një përqindje e serbëve gjithsesi do të paraqitet në zgjedhje, pavarësisht kampanjës, e cila do të udhëhiqet. Por, mendoj se çështja e veriut të Kosovës do të zgjidhet ndoshta edhe me diçka që nënkupton që bashkësia ndërkombëtare dhe zyra e ICO-së të pranojë bisedimet, varësisht nga kombinimi paszgjedhor në veri të Kosovës. Nëse ajo do të jetë e gatshme për bisedime dhe bashkëpunim, ndoshta do të pranohet që procesi, do të thosha i një forme të integrimit të veriut të Kosovës, do të fillojë të zhvillohet përmes tyre. Ndërkaq, në mënyrë paralele, nuk besoj që do të heqin dorë nga diçka që nënkupton zgjedhje sipas projekteve të tyre dhe në atë mënyrë të kenë, siç thuhet, përfaqësuesit transparentë, me të cilët do të punohet, por, gjithsesi edhe pjesëmarrja jotransparente, si dhe bisedat dhe marrëveshjet me ata, të cilët kanë dalë nga këto zgjedhe serbe. Kështu që, unë pres që në fakt do të udhëhiqet një politikë pragmatike dhe strategji, e cila do të rezultonte me diçka që do të nënkuptonte një proces integrues të heshtur, jo të dhunshëm të veriut të Kosovës. Beogradi në vazhdimësi po bën thirrje për negociata të reja për statusin e Kosovës. A mendoni se ekziston mundësi e vërtetë për të negociuar për statusin, kur kihet parasysh që pavarësinë e Kosovës deri më tash e kanë pranuar 69 shtete, për të cilat pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe çështje e kryer? Në jetë, kurrë nuk duhet thënë kurrë. Por, unë mendoj se, në këtë moment, Beogradi nuk ka kapacitete që të negociojë për statusin. Sikur unë të isha udhëheqja e Beogradit, të gjithë energjinë do ta kisha orientuar drejt lobimit për një raportim sa më të mirë të Gjyqit Ndërkombëtarë të Drejtësisë, mendoj për mendimin këshillëdhënës. Do të përpiqesha që përmes tij të marrim diçka që nënkupton ‘tapinë’, të cilën nuk do ta komprometoja me hyrjen e menjëhershme, me zgjidhjen ose vënien e sërishme në tavolinë të zgjidhjes së statusit të Kosovës, por do të punoja në forcimin e kapacitetin shtetëror të Serbisë, në kuptimin ekonomik dhe të sigurisë dhe të procesit integrues drejt Bashkimit Evropian dhe gjithsesi drejt NATO-s. Ndërkohë, do të punoja për bisedimet teknike në hapësirën e Kosovës, në mënyrë shumë konstruktive, duke marrë pjesë në të gjitha proceset dhe zgjidhjet që nënkuptojnë zgjidhje të çështjeve teknike, siç janë energjia elektrike, telefonia, tregtia dhe një numër i madh i çështjeve, të cilat bashkërisht duhet t’i zgjidhim. Në këtë moment, të hysh në zgjidhjen e statusit të Kosovës, sikur edhe të kishim mbështetjen e disa vendeve të fuqishme që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, kjo do të ishte huqje e tërësishme. Serbia, në këtë moment, në masë të madhe është e kushtëzuar me projekte financiare dhe me proceset integruese evropiane dhe do t’i duhet që të bëjë kompromise, të cilat me siguri se nuk do të sillnin diçka që do të nënkuptonte esencialisht mundësinë e kthimit të Kosovës nën sovranitetin e Serbisë. Por, megjithëkëtë, disa zyrtarë serbë ditë më parë kanë deklaruar se bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit janë të domosdoshme, fillimisht për çështjet teknike, e pastaj edhe për statusin. Ata kanë potencuar rrezikun nga tensionet e larta dhe konfrontimet, nëse nuk do të ketë bisedime. A mendoni se kjo është një formë e tërheqjes së vërejtjes dhe si e komentoni një gjë të tillë? Unë, vërtet, nuk e di. Nuk shoh se në Ballkan mund të arrihet deri te diçka që nënkupton konfrontim, e që nuk është planifikuar në qendrat e fuqishme. Thjesht, kapacitet të tillë nuk ka as në institucionet e Kosovës, ku dominojnë shqiptarët dhe në gjë e tillë nuk ekziston as në institucionet e shtetit të Serbisë. Kështu që, nuk besoj se do të vijë ndonjëherë deri te konfrontimi në mes serbëve dhe shqiptarëve. Mendoj se në këtë moment historik, diçka e tillë nuk vjen në konsideratë dhe se rrëfimet e tilla janë tërësisht të pakuptimta. Unë e shoh që Beogradi dhe Ministria e Mbrojtjes po punojnë në afrimin e përshpejtuar të anëtarësimit në NATO. Ne e shohim se në rajon të gjithë po shpejtojnë drejt NATO-s, ose tashmë janë anëtare të NATO-s. Kështu që, në këtë moment, realisht unë nuk shoh hapësirë për destabilizim. Unë mendoj se, para së gjithash, Beogradi dhe Prishtina, serbët dhe shqiptarët në Kosovë, duhet t’i qasen urgjentisht komunikimit të ndërsjellë, bisedimeve, marrëveshjeve dhe proceseve të pajtimit, të cilat duhet të jenë transparente dhe duhet t’i dijë populli. Kjo do të ndikojnë në demilitarizimin e mendjes së vetë popullit dhe në lehtësimin e komunikimit të ndërsjellë, i cili edhe tash është realitet, por që politikanët shumë shpesh, për shkak të retorikës së tyre të lartë ose të rëndë, nganjëherë vetë popullin e shtyjnë që ta fshehin nga opinioni. Dhe, në fund, zonja Trajkoviç, kohë më parë ju keni thënë se politika e Beogradit zyrtar është duke ndjekur hapat drejt ndarjes së veriut të Kosovës, si opsion maksimalisht, ose minimalisht të merret një formë e autonomisë. Si reflekton kjo te serbët e Kosovës qendrore? Unë nuk do të bëja krahasime në mes të Kosovës qendrore dhe asaj veriore. Unë do të thosha që të gjithë ne jemi të brengosur për zgjidhjen e statusit të veriut të Kosovës, në kuptimin që kjo zgjidhje të jetë pa dhunë dhe të jetë me marrëveshje, e menduar sipas mundësisë dhe me pjesëmarrjen e Beogradit, në kuptimin e ruajtjes së strukturës etnike të popullatës. Çfarëdo vendimi i shpejtë, me siguri do të sillte një eksod të ri të serbëve në veri, gjë që me të vërtetë do ta sillte hapësirën esenciale të Kosovës në diçka që është qasje mono-etnike, ose zgjidhje e fundme për Kosovën. Prandaj, mendoj se interesi i përbashkët i serbëve në Kosovën qendrore dhe atë veriore, është para së gjithash mbijetesa e serbëve në këto hapësira. Kjo nënkupton që serbët në enklava dhe aty ku i kanë fituar strukturat e veta komunale, të punojnë në forcimin dhe fuqizimin e këtyre strukturave. Ndërkaq, serbët në veriun e Kosovës, jo për hir të Prishtinës dhe shqiptarëve të Kosovës, por për shkak të serbëve që jetojnë tej lumit Ibër dhe për shkak të Kishës Ortodokse Serbe, duhet ta kuptojnë që një formë e lidhjeve institucionale me Prishtinën me të vërtetë është e nevojshme, para së gjithash, në sferën e institucioneve të pushtetit të ligjit, që nënkupton gjyqësinë, policinë dhe doganat.
Radio “Europa e Lirë”