Respektimi I Standardeve Europiane Për Mjedisin, I Rëndësishëm Për Integrimin Europian
- Deklaron Ambasadori spanjoll në Tiranë, Manuel Montobio, gjatë ceremonisë së promovimit të përmbledhjes së pestë të ligjeve mjedisore 2007-2009 -
TIRANË, 7 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - "Për të qenë pjesë e Europës nuk duhet thjesht të shkruhen ligje dhe të botohen në libra, por duhet të aplikohen njëherësh", u shpreh sot Ambasadori spanjoll në Tiranë, Manuel Montobio, gjatë ceremonisë së promovimit të përmbledhjes së pestë të ligjeve mjedisore 2007-2009, nga Qendra Rajonale e Mjedisit në Hotel "Tirana International".
"Mjedisi është një e mirë publike për Shqipërinë, njëherësh për gjithë botën", tha Montobio, duke theksuar se "respektimi i standardeve europiane lidhur me mjedisin, është shumë i rëndësishëm për integrimin europian".
"Shqipëria nuk do të hyjë në Europë, Shqipëria do të jetë Europë dhe Europa nuk mund të jetë ndryshe veçse e gjelbër. Të ndërtosh Europën në Shqipëri do të thotë të mbrosh mjedisin", theksoi Ambasadori spanjoll, sipas të cilit, "nëse Europa është një ide e ilustruar nëpërmjet së drejtës, mjedisi nuk mund të jetë ndryshe veçse objekt i kësaj të drejte".
Montobio tha më tej se "për të ndërtuar Europën në Shqipëri do të thotë ta bëjmë mjedisin objekt të së drejtës europiane, sepse ekziston ky libër që e promovojmë sot, me të gjitha aktet nënligjore që janë përshtatur nga Parlamenti në vitet 2007-2009".
"Për këto arsye, Shqipëria është më afër Europës, por për të qenë pjesë e Europës nuk duhet thjesht të shkruhen ligje dhe të botohen në libra, por duhet të aplikohen njeherësh", nënvizoi ai, duke kërkuar jo vetëm njohjen e ligjeve dhe të së drejtës mjedisore, por dhe zbatimin e tyre nga komunitete, që kanë përgjegjësi për to, sikurse profesionistët e së drejtës, në mënyrë që Shqipëria të ketë mjedis më të mirë.
"Për këtë mjafton të shkosh në plazhet e Shqipërisë për të kuptuar që mjedisi mund të përmirësohet dhe të jetë objekt i punës së të gjithëve", nënvizoi Ambasadori spanjoll në Tiranë. /s.s./