Roli I Aktorëve Socialë Në Fokusin E Konferencës Së Studimeve Europiane
TIRANE, 7 Qershor/ATSH/.-Universiteti "Zoja e Këshillit të Mirë", në bashkëpunim me Universitetin italian "LUMSA", Romë, nisën sot konferencën dy ditore të Studimeve Europiane "Autonomia dhe përgjegjësia: roli i institucioneve arsimore dhe aktorëve socialë".
Duke folur mbi rolin e universiteteve në këtë drejtim, Rektori i Universitetit "Zoja e Këshillit të Mirë", Paolo Ruatti, tha se objektivi i Konferencës është që "të japë një pasqyrim sa më të qartë për rolin e aktorëve socialë në perëndim, sidomos ne kontekstin e politikave në Itali, pasi roli i aktorëve socialë është i domosdoshëm në një shoqëri në tranzicion si ajo shqiptare".
Pikësynimi, theksoi ai, është fillimi i një dialogu dhe një bashkëpunimi aktiv mes këtyre aktorëve, që të zhvillojnë një përfaqësim sa më të denjë dhe shtytës përballë istitucioneve administrative dhe vetë ekzekutivit.
Pas përfundimit të punimeve të kësaj konference, pritet që konkluzionet përfundimtare të mbahen nga Prof. Tritan Shehu, deputet dhe anëtar i Komisionit Parlamentar të Çështjeve Sociale, Punës dhe Shëndetësisë./e.gj/s.s./