Rripi I Gazës - Katër Anëtarë Të Një Komandoje Palestineze Vriten Në Det Nga Ushtria Izzraelite
GAZA, 7 qershor /ATSH-AFP/ - Katër anëtarë të një komandoje palestineze u vranë sot në det në afërsi të brigjeve të Gazës nga ushtria izraelite e cila shprehet se pengoi një "sulm terrorist".
Sipas disa dëshmitarëve palestinezë, anija në bordin e të cilës ndodheshin aktivistët palestinezë u sulmua nga disa motovedeta dhe helikopterë izraelitë në afërsi të kampit të refugjatëve Nuseirat, në jug të qytetit të Gazës, rreth orës 04:00 (01:00 GMT).
Dy orë më vonë, katër trupa me veshje zhytësi u gjetën dhe u dërguan në një morg në Gaza, njoftuan disa burime mjekësore dhe disa dëshmitarë palestinezë.
Kërkimet vazhdojnë për gjetjen e dy pasagjerëve të tjerë të zhdukur, shtojnë burime palestineze.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite, i pyetur nga AFP-ja, konfirmoi se një patrullë e marinës kishe lokalizuar një anije të vogël që kishte në bord "një grup terroristësh të cilët mbanin veshje zhytësi dhe ishin nisur për të kryer një sulm terrorist".
"Ushtarët hapën zjarr dhe goditën disa prej tyre", shtoi zëdhënësi pa dhënë detaje të tjera.
Në mëngjes aviacioni izraelit ndërmori një sulm në veri të Rripit të Gazës kundër një grupi të armatosur që po përpiqej të hidhte raketa kundër Izraelit.
Një palestinez i armatosur u plagos lehtë gjatë goditjes ajrore, shtuan burime mjekësore dhe të sigurisë palestineze. Sulmi ndodhi në lindje të kampit të refugjatëve Jabaliya.
/I.Pu.