Rusia Dhe Brazili Heqin Regjimin E Vizave Ndërmjet Tyre
MOSKË, 7 qershor /ATSH-ANSA/ - Rusia dhe Brazili hoqën sot regjimin e vizave për lëvizjen e qytetarëve të dy vendeve, njoftoi nga Kremlini presidenti rus Dmitri Medvedev, duke kujtuar se marrëveshja për këtë çështje ishte arritur në vitin 2008. Nga dita e sotme qytetarët rusë dhe brazilianë mund të lëvizin anasjelltas pa pasur nevojën e një vize.
Moska ka hequr vizat për periudha qëndrimi 30 dhe 90 ditore edhe me dhjetëra vende të tjera, ndër të cilat me Izraelin, Serbinë, Kroacinë Malin e Zi, Bosnjen, Venezuelën, Kubën, Marokun, Nikaraguan dhe Perunë. E njëjta gjë do të bëhet edhe me Turqinë në ditët e ardhshme.
Kohët e fundit, në kuadër të samitit Rusi-BE, Medvedev ka kërkuar heqjen e vizave edhe me Bashkimin Evropian.
/e.v/