English

Shba - Shtatë Të Vdekur Nga Kalimi I Një Tornadoje Në Ohajo

UASHINGTON, 7 qershor /ATSH-AFP/ - Shtatë persona, ndër të cilët një fëmijë, gjetën vdekjen në Shtetet e Bashkuara gjatë kalimit të një tornadoje në Ohajo, në veri, njoftoi sot AFP-në një zyrtar i shërbimeve shtetërore të emergjencës. "Shtatë personat gjetën vdekjen nga kalimi i tornados", deklaroi Tamara McBride, zëdhënëse e shërbimeve të emergjencës në Ohajo, duke shtuar se fenomeni meteorologjik ka goditur kontenë Wood, në juglindje të qytetit Toledo. Shtatë tornado kanë goditur tashmë Ohajon të shtunën në mbrëmje dhe të dielën në mëngjes, sipas informacioneve të shërbimit kombëtar meteorologjik. Një fëmijë pesë vjeç është ndër viktimat, njoftuan media lokale, që citon Mark Hummer, një zyrtar i policisë lokale. Tornadoja goditi lokalitetin Millbury rreth orës 23:00 (lokale), duke shkatërruar rreth 50 banesa dhe dyqane, dhe duke shkulur çatinë e një shkolle, njoftojnë disa zyrtarë lokalë. Sipas Hummer, tornadoja shkatërroi një rrip prej 11 kilometrash të gjatë dhe 100 metra të gjerë. Rreth 10 persona janë shtruar në spital, shtoi ai. Edhe shtete të tjera janë goditur nga disa tornado. Njëmbëdhjetë persona janë plagosur në shtetin e Miçiganit dhe 17 janë shtruar në spital në Ilinois. /I.Pu.
KOMENTE