Shqiperia Nje Vend I Sigurt Per Sipermarresit E Huaj
-Deklaron ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, në forumin e biznesit Shqipëri-Poloni-
TIRANE 7 Qershor/ATSH-E.Xhajanka/- Ministri Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, deklaroi sot se Shqipëria është një vend i sigurtë për sipërmarrësit e huaj dhe ofron të gjitha kushtet dhe resurset natyrore për rritjen e bashkëpunimit ekonomik midis Shqipërisë dhe Polonisë.
Gjatë forumit ekonomik Shqipëri-Poloni , që u zhvillua në Tiranë, ku ishin të pranishëm Ambasadorja e Republikës së Polonisë në Shqipëri, Irena Tatarzynska, përfaqësues të biznesit polak etj, ministri Prifti vlerësoi klimën e biznesit të krijuar në Shqipëri, ndërsa theksoi rolin e reformave të ndërmarra nga qeveria në këtë kuadër.
Ministri Prifti në fjalën e tij vlerësoi prezencën e biznesit polak në këtë forum, që është shprehje e interesit për të promovuar marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve edhe në aspektin ekonomik.
"Ky është momenti për të ricituar rëndësinë e madhe që ka kombinimi i politikës me biznesin", theksoi Prifti , ndërsa shtoi se "politikat e institucioneve po i japin fund një tranzicioni relativisht të gjatë në Shqipëri".
Duke shprehur vullnetin reciprok për të vendosur një bashkëpunim në nivelet më të larta, ministri Prifti tha se, "Shqipëria dhe Polonia gjatë vitit 2009 ishin të vetmet vende në Evropë që evidentuan treguesit në rritje të ekonomisë, ndërkohë Shqipëri tashmë është pjesë edhe e tregut rajonal, çka është një faktor tjetër pozitiv për bashkëpunimin më të ngushtë me biznesin polak ".
Shqipëria dhe Polonia, evidentoi ai, kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh tregtare, ndërkohë që referuar treguesve statistikorë, mes dy vendeve shënohet një volum tregtar në rreth 40 milionë euro, prej të cilave 39 milionë euro janë importe të mallrave polake në vendin tonë dhe 1 milionë euro janë eksportet shqiptare . Ministri theksoi se Shqipëria ka nivelin më të ulët të taksave në Evropë dhe kjo tendencë do të vijojë edhe në të ardhmen.
Duke u ndalur në një panoramë të përgjithshme të vlerave dhe resurseve që ofron vendi ynë, kreu i ekonomisë evidentoi se, në Shqipëri ka një fuqi punëtore të re dhe të kualifikuar, duke vënë në dukje sektorët potencialë që mirëpresin investime si energjetika, bujqësia, sektori minerar, etj. Shqipëria është vendi kampion për prodhimin e energjisë, tha ministri Prifti, i cili bëri të ditur se janë ende të pashfrytëzuara prodhimi i energjisë nga era dhe burime të tjera.
Ndërkohë Ambasadorja polake, Tatarzynska, duke shprehur angazhimin e qeverisë së saj për intensifikimin e marrëdhënieve me vendin tonë, inkurajoi biznesin polak për gjetjen e zgjidhjeve pozitive në këtë drejtim.
"Shqipëria është një vend mjaft miqësor dhe kjo duhet të jetë edhe klima e bashkëpunimit në aspekin ekonomik", theksoi ajo.
Në forumin ekonomik Shqipëri-Poloni, ishin të pranishëm edhe zv /inistri i Ekonomisë së Shqipërisë, Neritan Alibali dhe nënsekretari polak i shtetit në ministrinë e Ekonomisë, Rafal Baniak, të cilët informuan mbi politikat e qeverive respektive përsa i përket përmirësimit të klimës së biznesit.
Ndërkohë, përfaqësuesit e dy komuniteteve të biznesit, atij shqiptar, Ilir Zhilla si dhe ai çek, Agnieszka Turek, e vlerësuan këtë forum si një moment të rëndësishëm të nxitjes së marrëdhënive të reja me sipërmarrje polake , ndërsa evidentuan fushat e bashkëpunimit reciprok.
"Energjetika mbetet një nga sektorët kyç të investimit në Shqipëri, pasi kjo është një nga fushat ku do të ketë një reformim të madh", deklaroi Zhilla , ndërsa shtoi se "turizmi është një tjetër pikë e rëndësishme e mundësive reale për investim". Në këtë drejtim ai shtoi se Polonia ka patur një kërkesë të kahershme për të qënë pjesë e investimeve në bregdin shqiptar.
Përfaqësues të kompanive KPMG, CEO , Real Trade etj. u shprehën për një bashkëpunim të drejtpërdrejtë me subjektet vendase./s.s./