Tiranë, 7 qershor, NOA – Spitali i ri në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është drejt përfundimit. Sot ka në godinën e këtij institucioni ka nisur vendosja dhe instalimi i aparaturave.
Drejtuesi i QSUT-së, Ilir Dashi thotë se gjatë këtyre javëve është bërë e mundur ngritja e komisioneve të cilët kanë marrë në dorëzim këto aparatura.
Me vendosjen e tyre do të nisë testimi për mbarëvajtjen në punë dhe njëkohësisht me këtë procedurë do të bëhet edhe trajnimi i stafit mjekësor për ato aparatura të cilat janë të reja për QSUT-në.
“Ky spital është një nga sfidat më të mëdha të vitit që ne kemi përpara. Aktualisht grupi i punës po mblidhet çdo ditë për të parë ecurinë e punimeve si dhe për të ndarë detyrat aty ku duhen. Ne jemi të vendosur që këtë sfidë ta çojmë deri në fund, që do të thotë inaugurimin e këtij spitali në këto muaj”, ka pohuar Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi.
Dashi ka shtuar se tashmë është përcaktuar nga palët grafiku i detajuar i trajnimit të stafeve mjekësorë , si mjekë dhe laborantë etj, për përdorimin e aparaturave mjekësore, proces, i cili ka filluar më 28 maj të këtij viti.
Grupet e ngritura janë duke testuar punimet ndërtimore, elektrike, mekanike, linjat e gazrave.
Gjatë kësaj kohe është bërë testimi i kaldajës së ujit të ngrohtë, ujit sanitar dhe avullit, testimi i linjave elektrike, transformatorëve etj.
Në këtë spital me 5 kate do të vendosen shërbimet e ekzaminimeve të imazherisë dhe diaknostikimit; qendra e sterilizimit; urgjenca; mjekësia e përgjithshme, laboratorët klinikë, hematologjia, si dhe laboratori historlogjik.
Sipas njoftimit të drejtorisë së QSUT-së, brenda spitalit të ri janë parashikuar të jenë 115 shtretër për trajtimin e të sëmurëve.
Në përfundim të të gjithë projektit në spitalin e ri universitar në Tirane në katin e pestë të tij do të jenë 7 salla operacioni, 8 shtretër pas operacionit dhe Laboratori Histologjik.
m.xh/NOA