Tiranë, 7 Qershor, NOA /Milena Selimi - Kompania Teatri i Momentit & Teatri i Metropolit do të prezantojnë më datën 9 qershor shfaqjen “Audienca” nga Vaclav HAVEL, me regji nga Hicham CHAKIB.
Artistët francezë, të cilët nuk mundën të ishin në Tiranë në muajin prill, për shkak të shpërthimit të vullkanit në Islandë do të kenë mundësinë tashmë të prezantojnë idetë dhe konceptet e teatrit të tyre, në një bashkëpunim me Teatrin e Metropolit.
Në pjesën “Audienca”, Vaclav Havel shtron një këndvështrim mbi ndryshimet e shoqërisë.
Kjo shfaqje na fut në një spirale, në një vorbull pa kuptim, në atë të dimensionit ekzistencial të botës dhe të krizës së njerëzimit. Është një teatër që nuk ka nje sens, nuk afirmon asgjë dhe nuk di asgjë.
Por vetëm ngre hipoteza dhe na lejon të shohim të vërtetat , me shumë nënkuptime të dhunshme në kompleksitetin e të gjitha fytyrave dhe paradokseve të individit.
Një konfrontim që e vendos menjëherë publikun në rolin e spektatorit dhe i krijon një situatë të përfshirjes në të.
Teatri i Momentit do të shfaqë edhe një tjetër performancë si “Tregtari dhe gjeniu”, e cila do të jepet për publikun në datën 10 qershor në Arenën e Cirkut të Metropolit. Po çfarë është ky teatër, çfarë qëllimesh dhe objektivash sjell ai? Ajo që i intereson fillimisht regjisorit është:
Uni dhe aktorët në hapësirë. Ky teatër sjell një vend në skenë të limituar në kohë dhe me objektiva të përcaktuara. Nëpërmjet një stazhi është rasti për të ndërtuar një punë të thelluar dhe është rasti që komponentët të përfshihen në një marrëdhënie besimi. Ky besim do të jetë baza e punës sonë: besimi tek të tjerët dhe besimi tek uni.
Finalizimi i formimit tonë do të jetë kënaqësia e zbulimit të Unit nëpërmjet lojës.
Një lojë që bazohet tek interpretimi ku distanca është e rëndësishme.
Gjithashtu, hapësira e paraqitjes afirmon një tjetër vlerë: bëhet fjalë për të kontrolluar gjestet, të masësh fjalët, të shprehesh në publik.
Kështu, objektivat e këtij formimi orientohen specifikisht drejt një loje të organizuar, që ka rregullat e veta si: Zhvillimi i cilësisë së dëgjimit, observimit dhe përqendrimi duke mbajtur parasysh gjendjen përpara publikut dhe të aktorëve një nga një dhe në të njëjtën kohë duke e mësuar punën e tij, e cila varet nga grupi në të cilin ai bën pjesë.
Zhvillohet një univers, në të cilin imagjinata do të ndërtojë lojën dhe do ta ushqejë atë. Nën optikën e këtyre objektivave do të favorizohen ushtrimet e improvizimit.
Në fakt, ato të lejojnë të adaptohesh dhe të zhvillohesh në situatën e imponuar nga rrjedha e lojës, ose nga reagimet e paparashikuara të një partneri në lojë; por në të njëjtën kohë të lejon të krijosh një hapësirë lirie dhe krijimtarie.
Teatri i Momentit pritet të na njohë me një ‘teatër’ ndryshe në Tiranë.
m.s/n.e/NOA