Topi Dekreton Disa Ligje Të Rëndësishme Për Reformën Ligjore E Zhvillimin Ekonomik
TIRANË, 7 Qershor/ATSH/.- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi sot shpalljen e disa ligjeve të rëndësishme, të miratuara së fundi nga Kuvendi i Shqipërisë, në funksion të reformës ligjore dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Sipas njoftimit për shtyp nga Presidenca, Kreut i shtetit dekretoi shpalljen e ligjit "Për kundërvajtjet administrative", i cili është vlerësuar si çelësi i reformave për konsolidimin e së drejtës në Shqipëri dhe si standard tërësisht europian, në marrëdhëniet mes administratës shtetërore, biznesit e publikut në tërësi.
Një tjetër ligj i dekretuar sot nga Presidenti është dhe ai për disa ndryshime e shtesa në ligjin "Për taksat kombëtare", që synon përafrimin e kuadrit ligjor për taksat kombëtare, me MSA-në dhe me praktikat më të mira të vendeve të BE-së.
Akti normativ me fuqinë e ligjit, për disa ndryshime e shtesa në ligjin "Për koncesionet", i dekretuar gjithashtu sot, parashikon suprimimin e Agjencisë së Koncesioneve dhe shpërndarjen e kompetencave të saj midis dy institucioneve ekzistuese: Agjencisë së Prokurimit Publik dhe Komisionit të Prokurimit Publik, duke siguruar një ndarje të qartë të detyrave dhe kompetencave në monitorimin e mbikëqyrjes së procedurave koncesionare. /a.s/s.s./